“Çdo fëmijë në familje. Aty ku ka dashuri, ndodhin mrekulli. Bëhu familje kujdestare, bëhu pjesë e ndryshimit!“

Në kuadër të muajit ndërkombëtar të shërbimit të kujdestarisë, Shërbimet Sociale Bethany, në partneritet me “Save the Children” dhe Bashkinë Sarandë, organizuan një ditë të hapur në komunitet, me qëllim informimin dhe sensibilizmin e shoqërisë, lidhur me shërbimin e kujdestarisë për fëmijët pa kujdes prindëror.
Ky aktivitet tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve, që shprehnin interesim për të ditur më shumë në lidhje me këtë shërbim në Shqipëri.
Ky aktivitet sensibilizues dhe informues vjen për herë të dytë në qytetin e Sarandës.

OFERTA E PËRMIRËSUAR, SIGURIA SHËNDETSORE E AJO USHQIMORE, JA ÇFARË E DALLON KËTË SEZON

Në një intervistë për Report TV, Kryebashkiaku Adrian Gurma, tregoi për përgatitjet e nisura qysh muaj më parë për sezonin “Verë 2021”. Suksesin e këtij sezoni ai e sheh në qasjen e re që ka në të bërit turizëm. Oferta e përmirësuar, e shprehur me investime publike e ato që subjektet private kanë bërë për të rritur standartin e shërbimeve të tyre, këtë vit, sipas kreut të Bashkisë Gurma, janë shoqëruar edhe me dhënien e sigurisë shëndetsore. Kjo, përmes arritjes së përfundimit të vaksinimit të punonjësve të strukturave hoteliere e me ritmin e kënaqshëm të vaksinimit të kategorive të tjera.
Masat e marra për qytet dhe det të pastër, për Kryetarin Gurma, shoqëruar edhe me masat për siguri ushqimore, janë ato që japin siguri se Saranda këtë verë do të njohë një frekuentim të lartë dhe të jetë destinacion i kërkuar nga vendas dhe të huaj.

 

SHTËPIA, FËMIJËT E SË CILËS JANË NË VËMENDJEN DHE DASHURINË TONË

Saranda e ka ndër asetet e saj të çmuara Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “V.Pulla”. Ajo për Sarandën është shtëpia me 74 vite histori dashurie. Dita e sotme, që shënon Ditën Kombëtare të Ndihmës ndaj Jetimëve, ishte një tjetër rast për ta treguar dhe për ta përjetuar këtë. I pranishëm në veprimtarinë e organizuar me këtë rast në këtë institucion, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, tha se Saranda ka arësye më shumë për të qenë pranë këtyre fëmijëve, pasi shënimi i 20 majit si Ditë Kombëtare e Ndihmës ndaj Jetimëve, është i lidhur me vdekjen tragjike të Xhuljanës më 1979, që ishte banore e kësaj Shtëpie.

Kjo, tha kryebashkiaku Gurma, na obligon shumëfish për të dhënë më shumë dashuri, për të qenë të ndjeshëm, të përkushtuar dhe mbështetës për cilësinë e jetës, mirërritjen dhe integrimin e këtyre fëmijëve.

SARANDA, GATI PËR TË QENË LOKOMOTIVA E TURIZMIT SHQIPTAR

Këtë ka konfirmuar Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma në një intervistë për ekranin e RTSH. Ai është ndalur në vlerën e shtuar që i japin ofertës turistike të vitit 2021, investime të tilla, si: rikonstruksioni i shetitores dhe aksi i ri rrugor Lëkurës-Kanali i Çukës. Kryebashkiaku tha se investime të tilla jo vetëm që shtojnë atraksionin dhe përmirësojnë mobilitetin, por u shtojnë vlerën edhe pronave që shtrihen përgjatë tyre. Ai u ndal edhe në investimet e tjera, që llogariten në 80 milionë lekë, 60% e të cilave janë destinuar për infrastrukturën rrugore, ku Ksamili ka marrë “pjesën e luanit”, pa lënë jashtë vëmendjes zonën rurale të Bashkisë, mbështetëse për turizëm.

Në mënyrë të posaçme, Kryebashkiaku Gurma vlerësoi investimet madhore të pritshme, siç është ai që do ta bëjë Sarandën me portin e jahteve (që do të nisë në fund të sezonit). Ndërsa investimi për aeroportin turistik, do të sjellë aksesimin e plotë të Sarandës drejtpërdrejt edhe nga ajri, tha ai, duke i dhënë fund përdorimit të aeroportit të Korfuzit dhe Janinës, nga turistë të huaj që zgjedhin për destinacion Sarandën.

Kreu i Bashkisë Gurma tha se objektiv i parë i sezonit të ri, është arritja në kuotën e 800 mijë turistëve, sa ishte në vitin 2019, Me investimet e bëra dhe me ngritjen e standartit të shërbimeve turistike, Gurma dha siguri që Saranda do jetë shumë më tërheqëse dhe më e frekuentuar, e gatshme për t’u bërë lokomotiva e turizmit shqiptar.