Salla me mozaik te posta e vjeter Sarande
Siç dihet mozaiku është një zbukurim i një dyshemeje të një ndërtimi të lashtë që ndodhet në njërën nga mjediset e katit të parë të ndërtesës së P.T (e vjetra). Sot aty është një pikë muze me objekte të pakta arkeologjike.
Por, për shkak të ndërtimeve të kryera herë pas here (para çlirimit) sot nuk kemi të qartë fizionominë e plotë të monumentit, planimetrinë e shtrirjes, kufijtë fqinj, sidomos në anën veriperëndimore dhe atë jugperëndimore. Sot për sot, për llojin e objektit në origjinë ndihmojnë ne një farë shkalle vetëm dekoracioni i cili në përgjithësi paraqitet i ndërlikuar, me ndërhyrje konceptuale që vihen re në buzinat dhe në fushën me motive gjeometrike. Siç duket rreth 1-2 shekuj pas fazës së parë të zbukurimit, mjeshtrat mozaicistë janë ndodhur përballë kërkesash të reja ideore që lidheshin me shumë me funksione të reja të ndërtesës.
Pas zbulimit monumenti paraqitej tepër i dëmtuar, veçanërisht gjysma e anës jugperëndimore. Pak mure guri me llaç kufizojnë mozaikun në qoshen perëndimore dhe atë verilindore.