Këtë ka konfirmuar Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma në një intervistë për ekranin e RTSH. Ai është ndalur në vlerën e shtuar që i japin ofertës turistike të vitit 2021, investime të tilla, si: rikonstruksioni i shetitores dhe aksi i ri rrugor Lëkurës-Kanali i Çukës. Kryebashkiaku tha se investime të tilla jo vetëm që shtojnë atraksionin dhe përmirësojnë mobilitetin, por u shtojnë vlerën edhe pronave që shtrihen përgjatë tyre. Ai u ndal edhe në investimet e tjera, që llogariten në 80 milionë lekë, 60% e të cilave janë destinuar për infrastrukturën rrugore, ku Ksamili ka marrë “pjesën e luanit”, pa lënë jashtë vëmendjes zonën rurale të Bashkisë, mbështetëse për turizëm.
Në mënyrë të posaçme, Kryebashkiaku Gurma vlerësoi investimet madhore të pritshme, siç është ai që do ta bëjë Sarandën me portin e jahteve (që do të nisë në fund të sezonit). Ndërsa investimi për aeroportin turistik, do të sjellë aksesimin e plotë të Sarandës drejtpërdrejt edhe nga ajri, tha ai, duke i dhënë fund përdorimit të aeroportit të Korfuzit dhe Janinës, nga turistë të huaj që zgjedhin për destinacion Sarandën.
Kreu i Bashkisë Gurma tha se objektiv i parë i sezonit të ri, është arritja në kuotën e 800 mijë turistëve, sa ishte në vitin 2019, Me investimet e bëra dhe me ngritjen e standartit të shërbimeve turistike, Gurma dha siguri që Saranda do jetë shumë më tërheqëse dhe më e frekuentuar, e gatshme për t’u bërë lokomotiva e turizmit shqiptar.


