MBLIDHET KOMITETI DREJTUES I MEKANIZMIT KUNDËR DHUNËS

Nën drejtimin e Kryebashkiakut Adrian Gurma, njëherësh edhe Kryetar i Komitetit Drejtues të Mekanizmit Kundër Dhunës, është mbajtur mbledhja e dytë e kësaj strukture. Ishte një tryezë me prani të mjaft aktorëve të këtij mekanizmi, duke nisur nga institucioni i qeverisjes vendore, nga organi i Prokurorisë, Gjykatës, Përmbarimit e Komisariatit të Policisë, nga Zyra e Arsimit, Zyra Vendore e Punësimit dhe shoqata që operojnë në fushën sociale. Takimi ishte reflektim real ndaj rasteve të shtuara të dhunës në familje, që për këtë vit kanë arritur në 50 në rajonin e Sarandës. Prej tyre 27 janë trajtuar me urdhër mbrojtjeje, ku përfshihen edhe shtetase të huaja, rezidente në Sarandë. Pjesëmarrësit kanë qenë sensitivë sidomos ndaj rastit më të fundit të abuzimit seksual me të miturën vetëm 13 vjeçe, ku siç dihet, ishte i përfshirë edhe një efektiv policie. Pavarësisht se e abuzuara është akomoduar tashmë në qendrën kombëtare të viktimave të trafikimit, si nga ky rast edhe nga urdhërat e mbrojtjes për viktima të dhunës në familje, u tërhoqën konkluzione për një veprim më të shpejtë të institucioneve, në mbrojtje të tyre, Thekse të veçanta u vunë në nevojën për të bërë më shumë për heqjen e arësyes pse dhuna dhe abuzimi janë pjesë e të përditshmes sonë. Si shkaqe janë identifikuar varfëria, papunësia etj., për të cilat janë marrë më shumë përgjegjësi, për të ndikuar me programe dhe oferta punësimi, krahas punës sociale e ndërgjegjësuese. U shtrua si nevojë edhe rritja e pranisë së psikologut të licensuar dhe e vendosjes së koordinatorit në institu-cione, pasi ato janë në kohën më të mirë që të përfshijnë këto pozicione në organo-gramën ekzistuese. U tha se kjo do të sjellë rritjen e rolit parandalues e pastaj asistues mbi rastet e dhunës, që paraqiten. Nga Kryetarët e fshatarave është kërkuar që gjithashtu të jenë më aktivë në parandali-min e këtyre dukurive sociale, pasi ata janë njohës shumë të mirë të situatës reale dhe e kanë detyrim ligjor raportimin e asaj që mundet të ndodhë ose po ndodh në komunitetet e tyre. Për të patur efektivitet në uljen e rasteve të dhunës, u tha se duhen afruar edhe komunitetet fetare. Ato kanë çdo mundësi që të bëhen ndikues veprimin e tyre, si me kodet morale, ashtu edhe me mbështetje me ndihma për familjet e varfëra dhe proble-matike. Shkolla u identifikua si hallka bazë e ndërgjegjësimit dhe e parandalimit të rasteve të dhunës. U evidentua se shpesh nxënësit janë përballë mentalitetit të prindërve dhe kjo e bën edhe më të vështirë punën e mësuesit. Por, u kërkua të punohet pa u tërhequr. U la si detyrë që bashkëpunimi i Zyrës së Arsimit me Zyrën Vendore të Punësimit të jetë më funksional dhe të përdoret çdo mundësi për vendosjen e psikologëve të rinj në shkolla, përmes thirrjeve publike dhe shpalljes së kërkesës për specialistë të kësaj fushe. Takimi i Komitetit Drejtues të Mekanizmit Referues Kundër Dhunës, ishte një indicie e mirë për një bashkëpunim e koordinim më të mirë mes aktorëve të ndryshëm, që janë pjesë e tij.

 

TAKIM ME EKIPIN E PROJEKTIT ReLOaD

Pas publikimit të Thirrjes sonë të parë për aplikime në Programin Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) që financohet nga Bashkimi Evropian-🇪🇺@European Union in Albania dhe zbatohet nga UNDP, Kryebashkiaku Adrian Gurma priti në një takim stafin e këtij projekti, të kryesuar nga znj. Entela Lako, specialiste programi në UNDP dhe përfaqësues të këtij projekti. Gjatë takimit ata ndanë opinione për prioritetet tona të perzgjedhura, bazuar në dokumentat strategjikë të Bashkisë dhe konsultimeve me OSHC-të që operojnë në territor, të cilat do të jenë në fushat e Shërbimit Social, kultura dhe turizmi, si dhe mjedisi. Kreu i Bashkisë Gurma shprehu kënaqësinë për përfshirjen e Sarandës ndër 12 përfituesit nga ky projekt me fokus të qartë në fushën sociale. “Qasja sociale është prioritare për ne dhe prandaj jemi seriozisht të investuar në këtë fushë, duke dhënë shumë energji për të ardhur deri këtu”, u shpreh ndër të tjera ai. Zonja Lako ka vlerësuar faktin që Bashkia e Sarandës po e tregon veten një partnere të mirë të projektit ReLOaD, duke përcaktuar prioritetet, duke miratuar fondin e nevojshëm etj. Ajo ka shtruar nevojën që të ketë sa më shumë stafe të angazhuar në trajnime ose minitrajnime që aftësojnë ekipe për hapat e mëtejshëm të projektit. Kjo, tha ajo, ju çertifikon ju për t’u bërë pjesë e projekteve më të mëdha europiane në vitin 2022 e më tej, në fushën sociale, turizëm, kulturë etj.

 

MIRATOHET PAKETA FISKALE 2022

Mbledhja e Këshillit Bashkiak e 6 dhjetorit ishte e radhës. Por për nga rëndësia e vendimmarrjes, ajo është e veçantë. Të tillë e bëri miratimi prej këshilltarëve i Paketëa Fiskale, me sistem të ri taksash e tarifash, me të cilin do të punohet gjatë vitit 2022. Pas përgjigjeve që kanë marrë pyetjet e disa këshilltarëve rreth Paketës, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma nënvizoi disa prej veçorive të kësaj Pakete. Ai tha se nuk ka asnjë rritje të taksave kombëtare, ku përfshihen: taksa e ndërtesës, e tokës dhe e truallit, e tabelës dhe e ndikimit në infrastrukturë, e kalimit të të drejtës së pronësisë dhe asaj të fjetjes në hotel. Po ashtu, tha ai, nuk ka asnjë rritje të taksave dhe tarifave familjare dhe nuk ka as tarifa të reja për familjet. Përfitues nga kjo bëhen rreth 2300 familje e kategori, të përjashtuar nga pagesa e taksave dhe tarifave, si: pensionistë të vetmuar, invalidë, të varfër, invalidë të punës etj. Një tjetër veçori e Paketës 2022, është se ajo reflekton nismën e Qeverisë “Të çlirojmë territorin nga ndotja mjedisore”, për të arritur në standartin Qytet dhe Bashki e Pastër, dukd e mbështetur këtë lëvizje, edhe me më shumë fonde në dispozicion. Kjo Paketë reflekton rregullimin e tarifave dhe jo rritjen e tyre, sipas kriterit që të paguajnë më shumë ata që ndotin më shumë. Me këtë lidhet ndryshimi në mënyrën e taksimit, duke kaluar nga metoda me fasha, në metodën për metër katror (sipërfaqe) etj. Edhe tarifat e shërbimeve adimistrative dhe ato të licensimit në sektorin e transportit etj., gjithashtu nuk kanë asnjë rritje. Në llogari të fundit, Paketa e vitit 2022, pritet të fusë në arkën e Bashkisë mbi 20 milionë lekë të ardhura më shumë. E ato do të destinohen kryesisht për një Qytet dhe Bashki të Pastër, që për ne do të thotë Sarandë më e mirë për të jetuar dhe më e kërkuar për të pushuar. Për të gjitha këto dhe sidmos se shumica e këshilltarëve kanë qenë pjesëmarrës në turin e takimeve dhe dëgjesave në komunitet, ata i kanë dhënë votën pro Paketës Fiskale 2022. Duke falenderuar vendimmarrjen e sotme në Këshillin Bashkiak, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se miratimi i saj i hap rrugën edhe miratimit dhe kthimit në buxhet të projektit tonë për vitin 2022.

NDIZEN DRITAT E PEMËS DHE INSTALACIONI NË SHETITORE

Shiu i papushuar nuk ka mundur të prishë agjendën e programuar. Në Sheshin kryesor të qytetit të Sarandës, mbrëmjen e sotme u bë ndezja simbolike e dritave të Pemës së Vitit të Ri 2022. Grupi i violinistëve të vegjël ka bërë nxehjen e atmosferës me tingujt e violinave. Melodia e dashur “Jingle bells”, u shoqërua me durtrokitje të të pranishmëve: fëmijë, prindër, mësues e edukatore, autoritete vendore, këshilltarë bashkiakë e qytetarë. Babagjyshi ka ftuar fëmijët dhe Kryebashkiakun Adrian Gurma para Pemës ende të pandriçuar. Pas numërimit zbritës nga 9 në 0, njëri prej fëmijëve shkeli pultin e komandimit dhe Pema simbol e vitit 2022, si dhd slita me drerët e bardhë, u mbuluan nga dritat shumëngjyrëshe. Ky moment gëzimi ishte edhe ai i shkëmbimit të urimeve të para për Vitin e Ri 2022. Pas kësaj, festimet e para për festat më tradicionale të Krishtlindjeve dhe atë të ndërrimit të viteve, vijuan në shetitore. Edhe atje, gjithashtu, pas numërimit mbrapsht, u bë ndezja e dritave në instalacionin 2022, në tunelin me drita dhe në Shtëpizën e Babagjyshit. Fjalët “Gëzuar, Gëzuar!”, ishin urimi i secilit për një vit plot shëndet dhe çdo të mirë për çdo familje sarandiote.