Mbledhja e Këshillit Bashkiak e 6 dhjetorit ishte e radhës. Por për nga rëndësia e vendimmarrjes, ajo është e veçantë. Të tillë e bëri miratimi prej këshilltarëve i Paketëa Fiskale, me sistem të ri taksash e tarifash, me të cilin do të punohet gjatë vitit 2022. Pas përgjigjeve që kanë marrë pyetjet e disa këshilltarëve rreth Paketës, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma nënvizoi disa prej veçorive të kësaj Pakete. Ai tha se nuk ka asnjë rritje të taksave kombëtare, ku përfshihen: taksa e ndërtesës, e tokës dhe e truallit, e tabelës dhe e ndikimit në infrastrukturë, e kalimit të të drejtës së pronësisë dhe asaj të fjetjes në hotel. Po ashtu, tha ai, nuk ka asnjë rritje të taksave dhe tarifave familjare dhe nuk ka as tarifa të reja për familjet. Përfitues nga kjo bëhen rreth 2300 familje e kategori, të përjashtuar nga pagesa e taksave dhe tarifave, si: pensionistë të vetmuar, invalidë, të varfër, invalidë të punës etj. Një tjetër veçori e Paketës 2022, është se ajo reflekton nismën e Qeverisë “Të çlirojmë territorin nga ndotja mjedisore”, për të arritur në standartin Qytet dhe Bashki e Pastër, dukd e mbështetur këtë lëvizje, edhe me më shumë fonde në dispozicion. Kjo Paketë reflekton rregullimin e tarifave dhe jo rritjen e tyre, sipas kriterit që të paguajnë më shumë ata që ndotin më shumë. Me këtë lidhet ndryshimi në mënyrën e taksimit, duke kaluar nga metoda me fasha, në metodën për metër katror (sipërfaqe) etj. Edhe tarifat e shërbimeve adimistrative dhe ato të licensimit në sektorin e transportit etj., gjithashtu nuk kanë asnjë rritje. Në llogari të fundit, Paketa e vitit 2022, pritet të fusë në arkën e Bashkisë mbi 20 milionë lekë të ardhura më shumë. E ato do të destinohen kryesisht për një Qytet dhe Bashki të Pastër, që për ne do të thotë Sarandë më e mirë për të jetuar dhe më e kërkuar për të pushuar. Për të gjitha këto dhe sidmos se shumica e këshilltarëve kanë qenë pjesëmarrës në turin e takimeve dhe dëgjesave në komunitet, ata i kanë dhënë votën pro Paketës Fiskale 2022. Duke falenderuar vendimmarrjen e sotme në Këshillin Bashkiak, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se miratimi i saj i hap rrugën edhe miratimit dhe kthimit në buxhet të projektit tonë për vitin 2022.