Arti edukon

Sot, në DITËN NDËRKOMBËTARE TË EDUKIMIT, ekspozita virtuale “EDU-ART”, prezanton 158 krijime artistike në pikturë, ese, vizatim, video sensibilizuese dhe kolazhe, të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Bashkinë Sarandë pjesëmarrës në konkursin “EDU-ART”.

FËMIJËT E ZEMRËS SURPRIZOJNË KRYEBASHKIAKUN

Vizitorë krejt të veçantë kanë kërkuar dhe kanë shkuar sot në zyrën e Kryebashkiakut Adrian Gurma. Ata kanë qenë 5 banorë të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” të Sarandës, kryesuar nga piktori i vogël, Aleksi. Surpriza e tyre për Kryebashkiakun ishte një pikturë-aplikacion që paraqet një pemë, në çdo gjethe të së cilës shkruhej një emër nga grupi realizues. Në vend të nënshkrimit, ata mbishkruanin “Fëmijët e zemrës”.
Puna e tyre plot fantazi, talent dhe dashuri, zuri vend në tryezën e punës së Kryetarit Gurma. Ndërkohë, dhurata e tij për fëmijët kishte gjithashtu simbolikë dhe dashuri, si dhe telajo e penela piktori, në mbështetje të prirjes së tyre për pikturë.

 

SHUHET LEGJENDA E ARSIMIT SARANDIOT

Është ndarë nga jeta Skënder Bani, mësuesi i dekadave më parë. Ai ka lenë shenjë në arsimin d Sarandës, pasi në kushtet e mungesave të bazës didaktike mësimore, bëri histori me “shpikjen” didaktike me llambushkat, që ndizeshin kur nxënësi përgjigjej saktë dhe nuk reagonin përpara përgjigjes së gabuar për veprimet aritmetikore, për vendburimet minerare apo hidrocentralet e kohës. Shkolla fillore e Shelegarit, prej vitit 2014 mban emrin “Skënder Bani” e ky përbën një vlerësim unikal të kontributeve të tij.
Skënser Bani edhe në këto dy dekada të jetës së tij si pensionist, ka qenë një këshilltar i vyer për problematikat e arsimit, një veprimtar shoqëror në komunitet.
Me ndarjen e tij nga jeta, ne kemi një këshilltar dhe kontributor më pak, por kemi modelin e profesionistit dhe qytetarit që na ka lënë.

QYSH NË JANAR PËR SEZONIN TURISTIK

Turizmi ka nisur të bëhet kryetema e tryezave që mbahen qysh në nisje të vitit 2022. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, zonja Mirela Kumbaro Furrxhi, shpesh është në krye të aksioneve dhe takimeve që vënë në fokus mjedisin dhe përgatitjen e sezonit turistik të Sarandës. Pas përfshirjes në mbjelljen e 50 pemëve plep në Çukë, së bashku me Prefektin Flsmur Mamaj e Kryebashkiakun Adrian Gurma, ajo drejtoi takimin e organizuar në Bashki, me stafet e Bashkisë së Sarandës. Fokusi i diskutimit ishin përgatitjet për sezonin e ri turistik, stacionet e plazhit dhe teritorret e pastra.