U-14-a PO RILIND BASKETBOLLIN NË SARANDË

Një tjetër sport po rilind në Sarandë. Ky është basketbolli, që ka përfshirë mosha fëminore dhe adoleshentët. Si një sipërmarrje private në këtë fushë, është krijuar Shoqata “Saranda”, e cila ka sjellë si produkt ekipe U-14 të djemve dhe vajzave basketbolliste, që prezantohen me fanelën “Butrinti”. Testi më i i ri i ekipit të djemve ishte kompeticioni në Durrës, në kampionatin e U-14, ku morrën pjesë Galaktikët e Tiranës, Goga Basket Durrës, Elbasani dhe Saranda. Kampione u shpall pikërisht fanela e “Butrintit”. Për këtë sipërmarrje dhe këtë rezultat në ringritjen e sportit të basketbollit, fëmijët basketbollistë dhe trajnerët Bruno Hajno e Pajtim Seferi janë pritur nga Kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai ka vlerësuar angazhimin e tyre duke zhvilluar prirjen sportive të fëmijëve e duke i bërë ata të rriten shëndetshlm dhe larg nga rruga e nga vesi. Gjithashtu kreu i Bashkisë u kërkoi atyre të paraqesin kërkesat e tyre, për të parë mundësinë për mbështetje më të mirë me materiale sportive të nevojshme, si: uniforma, topa etj. “Po bëjmë çdo përpjekje për të marrë rrugë projekti ynë që Kompleksi Sportiv “Aleko Dajko” të mbulohet e të kthehet në një Pallat Sporti, në dispozicion edhe të basketbollistëve të rinj”, u tha atyre Kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai u dorëzoi atyre një Çertifikatë Mirënjohjeje ekipore. Trajnerët kanë falenderuar për vlerësimin, duke u shprehur se është i pari Kryetar Bashkie që tregon interes për këto ekipe, i fton e përgëzon dhe mbështet realisht.

 

KURORËZOHET ME TROFE KAMPIONATI LOKAL I SHAHUT

Është mbyllur në Sarandë Kampionati Lokal i Shahut, një veprimtari shahistike e përvitshme, që ka kujdesin e Bashkisë dhe organizohet nga Klubi Shumësportësh. Ky Kampionat, që sivjet është në edicionin e 21-të, u zhvillua për 5 ditë me radhë nga 17-21 shkurt. Morën pjesë tre grupmosha: fëmijë, të rinj e të rritur, të përfaqësuar nga 22 shahistë, që zhvilluan gara dhe përballje interesante. Në ceremoninë përmbyllëse mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, i cili dorëzoi trofetë më të rëndësishme që u akorduan. “Shahu është bërë sport i traditës tashmë në Sarandë-tha ndër të tjera Kryebashkiaku Gurma. – E për arësyen se ai është bërë kaq i dashur për të gjitha moshat, por edhe kaq rezultativ në shkallë vendi e në rang Europian, do të vijë në rritje edhe suporti nga ana e Bashkisë”. Ai shprehu besimin se me këtë masivitet e me rezultatet që arrihen, Saranda jep shpresë se do të bëhet pritëse edhe e aktiviteteve ndërkombëtare shahistike. Me medalje e diploma u nderuan shahistët më të mirë. Në vendin e tretë u rendit shahisti Murat Mejdini, në vendin e dytë trajneri i njohur Lime Mihasi, ndërsa Kupa e Kampionatit iu dorëzua nga Kryetari Adrian Gurma, shahistit Erald Mihasi. Me diploma për vende nderi u vlerësuan edhe dy emrat e njohur të shahut të të rinjve Kelvin Kosta e Eklea Omeri, të njohur edhe në arenën europiane të shahut. Të dy këta talente të rinj në shah, si dhe kampioni Erald Mihasi, fituan kështu të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të Shahut, që zhvillohet këto ditë në Bosnjë-Hercegovinë. Pjesëmarrja dhe performanca e para të rinjve dhe e të rinjve në Kampionatin Lokal 2022, është vlerësuar shumë, pasi ata janë jo vetëm shahistë me të ardhme, por ndërkohë rriten edhe si qytetarë të mirë.

 

NGA MJEDISI I PASTËR NUK PËRJASHTOHEN ISHUJT E KSAMILIT

As tre ishujt e Ksamilit nuk i kanë shpëtuar mbushjes nga mbetje urbane të hedhura dhe të mbetura prej kohësh atje. Prandaj edhe ishujt janë përfshirë nga puna e punonjësve të bashkisë për pastrimin e tyre. Me afrimin e sezonit të ri turistik, frekuentuesit e plazheve dhe të ishujve do të gjejnë mjedis të pastër. Por kërkohet edhe që t’i lenë të pastër, për të mos vazhduar me praktikën që plazhisti ndot dhe pastruesit pastrojnë mbetjet nga konsumi i ushqimeve apo pijeve në ishuj. Të gjithëve duhet të na vrasë syrin çdo hedhurinë dhe të gjithë duhet të bëhemi mbajtës pastër të çdo mjedisi që përdorim, pasi plazh e turizëm me plehra nuk mund të ketë.

 

STARTON KAMPIONATI LOKAL I SHAHUT, NË EDICIONIN E 21-të

Ka startuar në Sarandë Kampionati Lokal i Shahut, një traditë e përvitshme, që ka kujdesin e Bashkisë dhe organizohet nga Klubi Shumësportësh. Ky Kampionat, që sivjet është në edicionin e 21-të, zhvillohet nga 17-21 shkurt. Marrin pjesë tre grupmosha: fëmijë, të rinj e të rritur, të përfaqësuar nga 22 shahistë, që po zhvillojnë përballje interesante. Pasditja e të hënës së 21 shkurtit do të shënojë mbylljen e Kampionatit Lokal të Shahut 2022, ku do të nderohen shahistët më të mirë dhe do të zbulohet Kampioni i edicionit të 21-të.