Është mbyllur në Sarandë Kampionati Lokal i Shahut, një veprimtari shahistike e përvitshme, që ka kujdesin e Bashkisë dhe organizohet nga Klubi Shumësportësh. Ky Kampionat, që sivjet është në edicionin e 21-të, u zhvillua për 5 ditë me radhë nga 17-21 shkurt. Morën pjesë tre grupmosha: fëmijë, të rinj e të rritur, të përfaqësuar nga 22 shahistë, që zhvilluan gara dhe përballje interesante. Në ceremoninë përmbyllëse mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, i cili dorëzoi trofetë më të rëndësishme që u akorduan. “Shahu është bërë sport i traditës tashmë në Sarandë-tha ndër të tjera Kryebashkiaku Gurma. – E për arësyen se ai është bërë kaq i dashur për të gjitha moshat, por edhe kaq rezultativ në shkallë vendi e në rang Europian, do të vijë në rritje edhe suporti nga ana e Bashkisë”. Ai shprehu besimin se me këtë masivitet e me rezultatet që arrihen, Saranda jep shpresë se do të bëhet pritëse edhe e aktiviteteve ndërkombëtare shahistike. Me medalje e diploma u nderuan shahistët më të mirë. Në vendin e tretë u rendit shahisti Murat Mejdini, në vendin e dytë trajneri i njohur Lime Mihasi, ndërsa Kupa e Kampionatit iu dorëzua nga Kryetari Adrian Gurma, shahistit Erald Mihasi. Me diploma për vende nderi u vlerësuan edhe dy emrat e njohur të shahut të të rinjve Kelvin Kosta e Eklea Omeri, të njohur edhe në arenën europiane të shahut. Të dy këta talente të rinj në shah, si dhe kampioni Erald Mihasi, fituan kështu të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të Shahut, që zhvillohet këto ditë në Bosnjë-Hercegovinë. Pjesëmarrja dhe performanca e para të rinjve dhe e të rinjve në Kampionatin Lokal 2022, është vlerësuar shumë, pasi ata janë jo vetëm shahistë me të ardhme, por ndërkohë rriten edhe si qytetarë të mirë.