Një tjetër sport po rilind në Sarandë. Ky është basketbolli, që ka përfshirë mosha fëminore dhe adoleshentët. Si një sipërmarrje private në këtë fushë, është krijuar Shoqata “Saranda”, e cila ka sjellë si produkt ekipe U-14 të djemve dhe vajzave basketbolliste, që prezantohen me fanelën “Butrinti”. Testi më i i ri i ekipit të djemve ishte kompeticioni në Durrës, në kampionatin e U-14, ku morrën pjesë Galaktikët e Tiranës, Goga Basket Durrës, Elbasani dhe Saranda. Kampione u shpall pikërisht fanela e “Butrintit”. Për këtë sipërmarrje dhe këtë rezultat në ringritjen e sportit të basketbollit, fëmijët basketbollistë dhe trajnerët Bruno Hajno e Pajtim Seferi janë pritur nga Kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai ka vlerësuar angazhimin e tyre duke zhvilluar prirjen sportive të fëmijëve e duke i bërë ata të rriten shëndetshlm dhe larg nga rruga e nga vesi. Gjithashtu kreu i Bashkisë u kërkoi atyre të paraqesin kërkesat e tyre, për të parë mundësinë për mbështetje më të mirë me materiale sportive të nevojshme, si: uniforma, topa etj. “Po bëjmë çdo përpjekje për të marrë rrugë projekti ynë që Kompleksi Sportiv “Aleko Dajko” të mbulohet e të kthehet në një Pallat Sporti, në dispozicion edhe të basketbollistëve të rinj”, u tha atyre Kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai u dorëzoi atyre një Çertifikatë Mirënjohjeje ekipore. Trajnerët kanë falenderuar për vlerësimin, duke u shprehur se është i pari Kryetar Bashkie që tregon interes për këto ekipe, i fton e përgëzon dhe mbështet realisht.