ARTISTËT SARANDIOTË TË PENELIT DHE DALTËS, SËRISH NË EKSPOZITË TË PËRBASHKËT

Ftesës së Bashkisë Sarandë dhe Kryetarit të saj, Adrian Gurma, për ta shprehur edhe artistikisht dashurinë, mirënjohjen dhe nostalgjinë për qytetin që u dha frymëzimin e parë e i rriti artistikisht, 23 piktorë e skulptorë, iu përgjigjën me pjesëmarrjen e tyre në një ekspozitë të përbashkët. Punët e tyre të frymëzuara janë nga vendet ku ata jetojnë e krijojnë aktualiaht, si: nga Suedia, Anglia, Kanadaja, Greqia, Gjermania dhe firmosen prej emrave që Saranda i ka në memorjen e saj artistike si piktorë apo skulptorë të dekadave të kaluara. Atyre u janë bashkuar me punët e tyre, krijues sarandiotë që jetojnë e krijojnë në kryeqytetin shqiptar dhe ata që jetën e krijimin e kanë të pashkëputur nga Saranda. Kjo është një prej të veçantave të ekspozitës së tyre të përbashkët, titulluar “Rrugëtime”. Ajo u çel këto ditë në Galerinë “Art-Saranda”, duke bërë që sallat e saj të zenë vend 49 punë. Në pikturë erdhën peizazhe, portete e kompozime, në teknikën e vajit, pastel, akrilik. Ndërsa në skulpturë: erdhën portrete, relieve e kompozime, të punuara nç material bronz, mermer, allçi e beton. Veçoria tjetër është se pjesëmarrës në ekspozitën “Rrugëtime” janë autorë të mirënjohur e të afirmuar, studentë në shkolla artistike, si edhe autorë autodidaktë. Çdo punë debutuese është si një dedikim shpirtëror e artistik i artistëve për qytetin e zemrës, Sarandën. Kjo është ekspozita e dytë me këtë pjesëmarrje e me këtë dedikim. Ata janë sërish bashkë, në vitin e 10-të të jetës së Galerisë “Art-Saranda”. Ekspozita “Rrugëtime” do të jetë e hapur, për t’u vizituar nga publiku vendas dhe nga turistët, deri më 2 korrik 2022.

 

FËMIJËT JO VETËM KONSUMATORË, POR EDHE “KONTROLLORË” TË TREGUT

Vizitorë të pazakontë në tregun bujqësor të Sarandës, ishin fëmijët. Kjo ndodhi në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, kur fëmijët e “Qendrës Multifunksionale Për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Forcimin e Familjes”, zhvilluan vizita në tregun ushqimor e në njësi shërbimi. Shitësit e Tregut Bujqësor i pritën me ngrohtësi fëmijët, si vizitorë të veçantë dhe u treguan tezgat e prodhimeve që ofrojnë. Kjo shërbeu që ata të shohin nga afër produktet në vendin ku ato tregtohen e se si ofrohen. Dobia e shkuarjes së tyre në mjedise tregu, ishte edhe se mes tyre të ushqyerit e shëndetshëm, u bë temë informimi dhe diskutimi.

BASHKIA E SARANDËS, E PREZANTOHET NË PANAIRIN NDËRKOMBËTAR TË TURIZMIT

Nga 2-4 qershor Bashkia Sarandë u prezantua në Edicionin e 4-t të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Mjedisit në ambientet e ExpoCity, Tiranë. Stenda u përfaqësua me një varg destinacionesh turistike, pjesë të trashëgimisë kulturore, historike e natyrore. Pjesë përbërëse e promovimit ishte edhe turizmi malor e ai detar, ekoturizmi e agroturizmi, me të cilat u prezantua një paketë e plotë destinacionesh në Sarandë dhe rreth saj. Pavionet me logon Bashkia Sarandë tërhoqën vëmendjen dhe interesin e turoperatorëve dhe bizneseve vendase e te huaja, ku spikatën vende si: Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia, Sllovenia dhe Egjypti. Pjesë e programit të Panairit ishin dhe takimet B2B, wokshope e takime me fokus turizmin e qëndrueshëm, ku me theks të veçantë u trajtuan sfidat për të zhvilluar turizëm gjithëvjetor. Stenda e Bashkisë Sarandë u përshëndet edhe nga Ornela Çuçi, zëvendësministre e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Në ditën e tretë të Panairit ishte e pranishme zonja Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit.

 

30 NXËNËS SHKOLLASH PEDALUAN NË DITËN BOTËRORE TË BIÇIKLETAVE

3 qershori, e njohur si Dita Botërore e Biçikletave, është bërë shkas që nxënës të shkollave në Sarandë, të organizohen për të pedaluar në shetitoren e qytetit. Ata ishin 30 shkollarë, kryesisht nga “9 Tetori”, të cilët të mbështetur nga SportKlub “Butrinti”, demonstruan në qytet marrëdhëbien e ngushtë dhe dobinë që kanë nga përdorimi i përditshëm i biçikletës. Duke pedaluar në mënyrë të organizuar, ata i shtuan një straksion më shumë shetitores së Sarandës. Ndërkohë, ata shërbyen si mesazherë për përdorimin sa më të gjerë të biçikletës në përditshmëri, nga të gjitha moshat. Është e njohur se më pak makina dhe më shumë biçikleta për të shkuar në punë, për të bërë ecje apo blerje, ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit dhe ndikon për të patur një shëndet të mirë të përdoruesve të biçikletës.