Ftesës së Bashkisë Sarandë dhe Kryetarit të saj, Adrian Gurma, për ta shprehur edhe artistikisht dashurinë, mirënjohjen dhe nostalgjinë për qytetin që u dha frymëzimin e parë e i rriti artistikisht, 23 piktorë e skulptorë, iu përgjigjën me pjesëmarrjen e tyre në një ekspozitë të përbashkët. Punët e tyre të frymëzuara janë nga vendet ku ata jetojnë e krijojnë aktualiaht, si: nga Suedia, Anglia, Kanadaja, Greqia, Gjermania dhe firmosen prej emrave që Saranda i ka në memorjen e saj artistike si piktorë apo skulptorë të dekadave të kaluara. Atyre u janë bashkuar me punët e tyre, krijues sarandiotë që jetojnë e krijojnë në kryeqytetin shqiptar dhe ata që jetën e krijimin e kanë të pashkëputur nga Saranda. Kjo është një prej të veçantave të ekspozitës së tyre të përbashkët, titulluar “Rrugëtime”. Ajo u çel këto ditë në Galerinë “Art-Saranda”, duke bërë që sallat e saj të zenë vend 49 punë. Në pikturë erdhën peizazhe, portete e kompozime, në teknikën e vajit, pastel, akrilik. Ndërsa në skulpturë: erdhën portrete, relieve e kompozime, të punuara nç material bronz, mermer, allçi e beton. Veçoria tjetër është se pjesëmarrës në ekspozitën “Rrugëtime” janë autorë të mirënjohur e të afirmuar, studentë në shkolla artistike, si edhe autorë autodidaktë. Çdo punë debutuese është si një dedikim shpirtëror e artistik i artistëve për qytetin e zemrës, Sarandën. Kjo është ekspozita e dytë me këtë pjesëmarrje e me këtë dedikim. Ata janë sërish bashkë, në vitin e 10-të të jetës së Galerisë “Art-Saranda”. Ekspozita “Rrugëtime” do të jetë e hapur, për t’u vizituar nga publiku vendas dhe nga turistët, deri më 2 korrik 2022.