ZHVILLOHET MBLEDHJA E RADHËS E KËSHILLIT BASHKIAK

Është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkisë, në të cilën është shënuar pjesëmarrje e lartë e numrit të këshilltarëve dhe në diskutime. Votimi i parë i mbledhjes ishte për dhënien e mandatit të këshilltarit bashkiak për Faslli Bedulin, që zëvendësoi Alqi Babin. Me shumë rëndësi ishte miratimi i rregullores për llojet e titujve të nderit, për kriteret dhe procedurën e dhënies së tyre, duke i dhënë këtij procesi rregullsinë e munguar. I ka takuar kësaj vendimmarrjeje edhe miratimi i listës së familjeve që përfitojnë nga subvencionimi i interesave të kredisë në kushte lehtësuese nga shteti. U miratua edhe një ndryshim në Buxhetin e Bashkisë Sarandë për vitin 2022”, me sugjerimin që të paraqitet një plan investimesh ku do të përdoret kjo shtesë buxheti. Kçahilltarët diskutuan dhe pastaj votuan edhe për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së transportit taksi të udhëtarëve.

 

TRYEZË KËSHILLIMI PËR STATUSIN E RI TË SH.A “BUTRINTI”

Ndërkohë që vijojnë raundet e shitblerjes së aksioneve të sh.a “Butrinti” në futboll, Kryebashkiaku Adrian Gurma, ka thirrur një tryezë këshillimi me trajnerë të disa brezave dhe ish-futbollistë me kontribute në jetëshkrimin e skuadrës. Kreu i Bashkisë Gruma, bëri të qartë për të pranishmit se skuadra e futbollit “Butrinti” është në rrugën e reformimit të domosdoshëm, të mbylljes së etapës kur ai funksionoi me statusin e një shoqërie anonime dhe do të nisë të funksionojë si një shoqatë, që financohet me projekte. Nga trajnerë e ish-futbollistë të pranishëm, që e morën fjalën në takim, u përkrah ideja e një reformimi të tillë, e cila u zhvillua edhe në detaje e organizim strukturor. U tha që Shoqata futbollistike “Butrinti” që do të krijohet, të funksionojë me një Bord apo Këshill Drejtues dhe të ketë në krye një President. Ndërkohë, u kërkua që Bashkia të jetë anëtare e Shaqatës. Gjithësesi, tema u la e hapur për të diskutuar sërish në një tjetër takim gjatë javës së ardhshme. 10 gushti 2022 është afati i përfundimit edhe të raundit të pestë e të fundit të shitblerjes. Deri atëhere, vazhdon të jetë ende i hapur procedura e shitblerjes për sh.a. “Butrinti. Pas kësaj, është qartësuar se ekipi do të vijojë të funksionojë me status shoqate dhe i financuar me projekte.

 

NJOFTIM

Njoftohen të gjithë banorët dhe pushuesit se në hapësirat e gjelbra, në pemë dhe plazhe, në qytetin e Sarandës dhe atë të Ksamilit, do të kryhet dezinfektimi dhe dezinsektimi.
Këto trajtime kimike do të kryhen: në Sarandë më 21 korrik, prej orës 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit të 22 korrikut, ndërsa në Ksamil prej orës 24:00 të 22 korrikut deri në orën 06:00 të mëngjesit të 23 korrikut.
BASHKIA SARANDË

NDERIM E GËZIM NË DITËN E VETERANIT

20 korriku është Dita e Veteranit. Në nderim të kontributeve të tyre, organizata e Veteranëve të LANÇ, organizoi një veprimtari të dedikuar. Si homazh për të gjithë ata që janë ndarë nga jeta dhe i mungojnë kësaj organizate në Sarandë, u interpretuan këngë partizane. Neriman Gjivogli, në cilësinë e Kryetares së Komitetit të Veteranëve për Sarandën, ka falenderuar bashkëpunëtorët e saj në përpjekjet e përditshme për të mbajtur gjallë traditat e patriotizmit e të atdhedashurisë dhe pasardhësit e veteranëve të Luftës, që i janë bashkuar kësaj organizate. Kreybashkiaku Adrian Gurma tha se është në amanetin dhe detyrimin tonë si qeverisje lokale, kemi mbështetur këtë organizatë në misionin e saj fisnik dhe në vijimësi do të jemi pranë jush. Për pasardhës veteranësh nga qyteti i Sarandës dhe nga disa zona të këtij rajoni, u shpërndanë Çertifikata, akorduar nga Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, në vitin e 65-vjetorit të krijimit. Aktorë, këngëtarë e instrumentistë të qendrës Kulturore i dhanë nota të gëzueshme këtij takimi festiv, me programin e tyre artistik, dedikuar Ditës së Veteranit.