Ndërkohë që vijojnë raundet e shitblerjes së aksioneve të sh.a “Butrinti” në futboll, Kryebashkiaku Adrian Gurma, ka thirrur një tryezë këshillimi me trajnerë të disa brezave dhe ish-futbollistë me kontribute në jetëshkrimin e skuadrës. Kreu i Bashkisë Gruma, bëri të qartë për të pranishmit se skuadra e futbollit “Butrinti” është në rrugën e reformimit të domosdoshëm, të mbylljes së etapës kur ai funksionoi me statusin e një shoqërie anonime dhe do të nisë të funksionojë si një shoqatë, që financohet me projekte. Nga trajnerë e ish-futbollistë të pranishëm, që e morën fjalën në takim, u përkrah ideja e një reformimi të tillë, e cila u zhvillua edhe në detaje e organizim strukturor. U tha që Shoqata futbollistike “Butrinti” që do të krijohet, të funksionojë me një Bord apo Këshill Drejtues dhe të ketë në krye një President. Ndërkohë, u kërkua që Bashkia të jetë anëtare e Shaqatës. Gjithësesi, tema u la e hapur për të diskutuar sërish në një tjetër takim gjatë javës së ardhshme. 10 gushti 2022 është afati i përfundimit edhe të raundit të pestë e të fundit të shitblerjes. Deri atëhere, vazhdon të jetë ende i hapur procedura e shitblerjes për sh.a. “Butrinti. Pas kësaj, është qartësuar se ekipi do të vijojë të funksionojë me status shoqate dhe i financuar me projekte.











