NJOFTIM PËR PUNËSIM

Bashkia Sarandë njofton zbatimin e projektit “Para për Punë Publike”, me qëllim
kryerjen e punëve publike në shërbim të komunitetit.
Ky projekt synon krijimin e një mundësie punësimi në shërbimet publike,
specifikisht në shërbimin e menaxhimit të mbetjeve dhe përfshirjes në skemën e parë
funksionale të riciklimit në Shqipëri. Kjo përfshirje krijon një mundësi reale
punësimi dhe mësimi të aftësive të reja për ju, në ndërtimin e të ardhmes në
Shqipëri dhe Sarandë specifikisht.
Ky angazhim me punë do të zgjasë 3 muaj dhe mbështetet nga Ministria Federale
për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) nëpërmjet GIZ në Shqipëri dhe
zbatohet nga Bashkisë Sarandë.
Nëse jeni të interesuar të punësoheni dhe të jepni kontributin tuaj në shërbim të
komunitetit dhe qytetit tuaj, kundrejt një page mujore, ju lutemi të paraqiteni pranë
Bashkisë Sarandë, Drejtoria e Politikave Sociale dhe Ndihmës Ekonomike, deri më
datën 27.12.2022, duke patur me vete:
– një kopje të kartës së identitetit;
– adresën e banesës;
– numrin e llogarisë bankare
– një numër kontakti.
Preferohen dhe do të avantazhohen persona të papunë të regjistruar dhe të kthyer nga
emigracioni.
Ju mirëpresim!
BASHKIA SARANDË

URIMET E PARA PËR VITIN 2023

Ndezja simbolike e dritave të Pemës së Vitit të Ri, ka qenë momenti i urimeve të para për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2023, të bëra në mënyrë publike e në një atmosferë të ndezur festive. Ky do të ishte rasti kur sheshi qendror i Sarandës, do të mbushej nga zërat e fëmijëve të kopshteve, të grupeve artistike nga shkollat dhe nga Qendra Kukturore e Fëmijëve. Babagjyshi-aktor ishte figura më e dashur e atij mjedisi të gëzueshëm. Në mes të kësaj hareje, grupit të festuesve iu bashkua Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Pas ritualit të numërimit mbrapsht, së bashku me fëmijët, ai ka shrypur butonin e pultit të komandimit të sistemit të dritave të Pemës, të cilat janë ndezur, shoqëruar nga melodia e gëzueshme “Jingle Bells” dhe këngë të tjera të bukura në shqip, të këtij eventi. Koncerti festiv me këngë dhe valle të fëmijëve të veshur me kostume popullore, vijoi gjatë përreth Pemës simbolike. Të tjerë gëzonin dhe festonin momentet e bukura duke kaluar në “tunelin e dritave”, duke u ulur në poltronën që imiton “slitën e Babagjyshit” apo duke vizituar Shtëpizën e tij aty pranë. Mijëra foto u bënë në çdo kënd e sidomos në Photo Pointet e improvizuara enkas për këto momente, që ishin të parat ku u dha urimi: “Gëzuar Vitin 2023!”, “Sjelltë shëndet e mbarësi në çdo shtëpi!

 

PËR BERDENESHIN MË SHUMË VËMENDJE

Një ndalesë e posaçme është bërë në qendër të fshatit Berdenesh nga Bashkia e Sarandës dhe Kryetari i saj Adrian Gurma. Banorët e këtij fshati janë dëgjuar në një bashkëbisedim miqsor dhe janë marrë shqetësimet e propozimet e tyre, për përfshirje në Projektbuxhetin e vitit 2023. Kërkesat e tyre janë mbajtur shënim, me qëllim që ato më prioritaret të bëhen pjesë e mbështetjes financiare nga buxheti i vitit të ardhshëm. E sigurt është që Berdeneshi do të marrë më shumë vëmendje nga Bashkia, në ofrimin e shërbimeve më të mira e kryesore në komunitet.

 

AKTIVITET PËRMBYLLËS PAS 16 DITË AKTIVIZËM KUNDËR DHUNËS

Apeli për të qenë më reagues e më veprues ndaj dhunës, në mbyllje të 16 ditëve aktivizëm, është përcjellë edhe me një veprimtari artistike, në sallën e Bashkisë Sarandë. Në bashkëpunim me ZVA-Sarandë, me institucione të tjera dhe OJF, u zhvillua aktiviteti kulturor, që kaloi mesazhe ndërgjegjësuese për përfshirje në luftën kundër dhunës në familje. Aktorët e Qendrës Kulturore Sarandë ishin protagonistë, por skena dhe salla shkrinë kufijtë, pasi shfaqja ishte gjithëpërfshirëse për çdo të pranishëm: nxënës të shkollave të qytetit, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë.