DESTINACIONI TURISTIK SARANDA. ME STENDËN E VET NË EXPOCITY 2023

Bashkia Sarandë u përfaqësua me pavionin e vet prezantues e promovues në Edicionin e 5-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “EXPOTURIZËM 2023”, të mbajtur në Tiranë nga 6-8 prill. ExpoCity, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, ishte organizator i Panairit të Tiranës. Stenda me logon e Bashkisë Sarandë, me slloganin identifikues “Eja në Sarandë!”, ishte branduar me destinacione turistike, me materiale promovuese të brandit të ri të Sarandës, si dhe me materiale nga biznese të suksesshme turistike. Në Panairin e këtij formati Saranda shkonte pas eksperiencës së një viti më parë. Por edhe më fuqishëm sivjet, u shfaq si një prej markave të turizmit shqiptar. Një prezabtim i tillë tërhoqi vëmendjen e operatorëve që kushin ardhur nga vende e destinacione të mëdha të turizmit, si: Turqia, Greqia, Italia, Mali i Zi,Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bullgaria e Armenia. Shqipëria, përfshirë Sarandën, u promovua si destinacion për 365 ditët e vitit, duke u fokusuar në turizmin e konferencave, eventeve, turizmit dixhital e mjeksor. Saranda, me prani edhe të Kryebashkiakut Adrian Gurma, u prezantua bindshëm si një destinacion me potenciale për turizëm gjithëvjetor. Gjithashtu, ky Panair, për ekipin pjesëmarrës nga Bashkia e Sarandës, mundësoi një zinxhir takimesh e bashkëpunimesh me aktorë të rëndësishëm të turizmit, brenda dhe jashtë vendit. Panairi 2023 Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë, përkoi në kohë me eventin e rëndësishëm, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që e kishte shpallur javën e parë të muajit prill si “Java e Turizmit në Shqipëri për vitin 2023”. Kjo javë mblodhi gjithashtu ministrat e turizmit të Western Balkan.

 

NDËRGJEGJËSIM QYTETAR PËR MOSSHPËRDORIMIN E UJIT

Në kuadër të Ditës Botërore të Ujit, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Sarandë dhe Giz.Albania, zhvilluan në shetitoren e Sarandës, një aktivitet me moton: “Si të ruajmë këtë resurs të shtershëm, por edhe vendimtar për ekzistencën e jetës në Tokë! Qëllimi i këti organizimi ishte të ndërgjegjësohen qytetarët për mosshpërdorimin e ujit. Aktiviteti u zhvillua me praninë dhe interaktivitetin e qytetarëve, të cilët drejtuan pyetje për problematika të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm apo largimin e ujërave të ndotura, që janë sfida të Shoqërisë së riorganizuar të Ujësjellës-Kanalizimeve, në nivel Rajoni. Qytetarë të tjerë plotësuan anketimin e ofruar për këto problematika. Opinioni dhe sugjerimet e shprehura do të ndihmojnë për një menaxhim më të mirë të këtij shërbimi.

 

BASHKË PËR PASTRIMIN E RRUGËVE DHE PUNIM TOKASH

Punonjësit e pastrimit dhe të gjelbërimit, të mbështetur nga ata të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Shërbimeve pranë Bashkisë, si dhe me përfshirje të nxënësve të shkollave, kryen së bashku pastrimin e rrugëve të brendshme të qytetit të Sarandës. Një front i dytë i aksionit së përbashkët dhe ishte punimi i sipërfaqeve të tokave dhe bërja e tyre gati për mbjellje e pranverës. Gjithçka u realizua në kuadër të bashkëpunimit të GIZ Albania me Bashkinë e Sarandës, në kuadër të projektit “Para për punë publike”.

 

NË NGROHTËSINË E NJË PËRQAFIMI

Në Ditën e Sindromit Down Qendra për Zhvillim, e Bashkisë Sarandë, pati më shumë gjallëri se zakonisht. Vogëlushët e kësaj Qendre, me këngën, me përqafimin e ngrohtë, me demonstrimim e ushtrimeve të ndryshme gjimnastikore etj., përcollën mesazhe dhe dhanë prova se ata mund të vrapojnë drejt teje, munden të flasin dhe të tregojnë dashurinë, munden të falin ngrohtësinë e një përqafimi, mund të shkojnë në shkollë si gjithë të tjerët, të shkruajë një letër kur të jetë larg, se mund të punojë vetë, paçka se disa herë mund të jetë edhe vështirë. Falë punës plot përkushtim të stafit të kësaj Qendre, kombinuar me kushtet përherë e më të kompletuara, këta fëmijë japin mesazhin se ata prekin lumturinë. Jeta aktive që bëjnë në institucion dhe në familjet e tyre, janë argumenti më bindës që ata dhanë në Ditën e Sindromit Down, për atë se kromozomet nuk janë ato që përcaktojnë vlerën e jetës. Përcaktues janë ata vetë, që luftojnë për jetën.