Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Me të moshuarit e Qendrës Polivalente, kaluam disa momente të gëzuara, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.
Respekt dhe mirënjohje për kontributin tyre, dhënë ndër vite, si dhe mbështetje pa kufi në vijimësi për ata.

Mbledhje e Këshillit Bashkiak Sarandë 30.09.2020

Duke respektuar rregullat, masat dhe distancën e përcaktuar për të parandaluar përhapjen e Covid 19, në sallën e Bashkisë së Sarandës, u zhvillua ditën e djeshme mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak.
Mbledhja e djeshme miratoi disa projektvendime, që lidhen me dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 gusht 2020 me fondin 6% të bllokskemës së ndihmës ekonomike, si dhe nga të ardhurat e Bashkisë. U miratua gjithashtu projektvendimi i Bashkisë “Mbi heqjen e detyrimit mujor financiar të ushqimit në kopshte dhe çerdhe për vitin shkollor 2020-2021”, si dhe të ardhurat dhe tavanet përfundimtare të shpenzimeve në nivel programi të buxhetit afatmesëm 2021-2023.
Këshilltarët u informuan dhe diskutuan mbi raportin e paraqitur nga ekzekutivi për shërbimet sociale dhe punën e qendrave të shërbimit komunitar, çka ishte një ndihmë e mirë për ta përmirësuar shërbimin në këto qendra. Pjesë e rendit të ditës dhe objekt i diskutimit të këshilltarëve, u bë edhe raporti i monitorimit të zbatimit të buxhetit për 4 mujorin e dytë 2020, ndërkohë që u vlerësua shumë pozitivisht manaxhimi që u është bërë kullotave dhe pyjeve nga Drejtoria e Bujqësisë në Bashki.
Këshillit Bashkiak iu paraqit një informacion edhe për ecurinë e deritanishme të procesit të aplikimeve për trojet e ndërtimit, në zbatim të VKM 329, datë 22.05.2019.

Kampjonët e rinj të Sarandës

Eklea, nënkampionia e vendit për moshat, në shah dhe Ediljano, fituesi i disa medaljeve në aktivitetin kombëtar të notit në muajin shtator, na kanë bërë krenarë me arritjet e tyre.

U pritën nga Kryetari, së bashku me familjarë e trajnerët e tyre, duke i nderuar me Çertifikatë Mirënjohjeje dhe me një bonus simbolik, prej 30 mijë lekësh, duke iu shprehur në të njëjtën kohë, vlerësim për pasionin me të cilin stërviten e ushtrojnë. Vlerësuam me Çertifikatë Mirënjohjeje edhe trajnerët e tyre: Lime Mihasi dhe Myrteza Didati, duke i siguruar se mbështetja dhe përkrahja jonë për ata dhe sportistët, do të jetë maksimale në vijimësi.

Edhe një kënd tjetër lojërash për fëmijët

Drejt përfundimit punimet për sistemimin dhe kthimin në kënd argëtues të një hapësire urbane deri dje të okupuar dhe sot të liruar e në funksion të banorëve, në lagjen Nr 4 në Sarandë.