Në muajin kundër trafikimit të qënieve njerëzore, Qendra “Tirana Art” zhvillon projektin “Care and Dare”, qëllimi i të cilit është informimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve mbi parandalimin e këtij trafikimi.
Projekti shtrihet në 12 qytete të vendit, ku një ndër ta është edhe Saranda.
Me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe të Bashkisë Sarandë, aktiviteti nisi ditën e parë me trajnimin informues mbi shkaqet, pasojat edhe njohjen me kuadrin ligjor të këtij fenomeni.
Ditën e dytë të rinjtë punuan për krijimet artistike, duke pasqyruar, nëpërmjet ngjyrave, linjave dhe kompozimeve dinamike, njohuritë e marra nga trajnimi i ditës së mëparshme.
Aktiviteti u finalizua me ekspozitën e përbashkët të nxënësve në qendër të qytetit, ku të rinjtë sarandiotë, përmes krijimtarive të tyre artistike, dhanë mesazhe të forta sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.