Nis puna për hapjen e Qendrës së Riciklimit të mbetjeve në Sarandë

Sot Saranda ka dhënë sinjalin e parë të nisjes së punës për mundësimin e riciklimit të mbetjeve. Qendra e Riciklimit të tyre  është përcaktuar të jetë në Volloder të Sarandës, 5 km në periferinë e afërt të saj. Në prani të zonjës Christine Koenig, drejtore e projektit DKTI-2 dhe Kryebashkiakut të Sarandës, Adrian Gurma, është përuruar nisja e punimeve për këtë investim, që mundësohet nga GIZ.
Qendra e Riciklimit në Bashkinë Sarandë do të bëhet në një territor prej rreth 6.000 m2, në truallin ku, përpara vitit 2015, (kur hyri në funksion landfilli i Bajkaj), ka qenë pika e grumbullimit të mbejteve urbane për këtë Bashki,
Qendra do të shërbejë për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, më tej me presimin e tyre dhe bërjen të gatshme për tregun e përpunuesve. Mbetjet e riciklueshme, që do të grumbullohen e përpunohen në Volloder, do te jene kryesisht plastike, letër e karton, kanaçe alumini, mbetje të vajërave ushqimorë, mbetjet elektronike, që kanë mundësi për t’u ricikluar nga industria përpunuese vendase. Projekti parashikon vendosjen e koshave të dedikuar në shkolla, në sheshe e shetitore, pranë marketeve të pikave të ndryshme turistike etj.
Vlera e këtij investimi, që bëhet me mbështetjen e GIZ, është rreth 50 mijë euro, pa llogaritur makineritë, trajnimin e punonjësve që do të operojnë në këtë fushë dhe infrastrukturën sekondare.
Ndërtimi i Qendrës së Riciklimit në Sarandë pritet të përfundojë në fund të muajit prill.
Përpara përurimit të nisjes së punimjeve në terren, zonja Christine Koenig dhe ekipi i ekspertëve që e shoqëronte, u pritën në një takim prezantues të projektit, nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma. Ai ka vlerësuar projektin dhe investimin për Qendrën e Riciklimit, si një mundësi për të pasur qasje të re e mentalitet të ri në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sidomos në kushtet e sezonit, kur ato 3-4 fishohen, çka do të na bëjë edhe më miqësorë me mjedisin

ÇDO DITË E PUNËS NË SHETITORE NA AFRON ME DITËN E PËRFUNDIMIT TË INVESTIMIT

Me shpresën se pandeminë do ta lemë prapa, qyteti, biznesi dhe qeverisja vendore kanë “ndezur motorrët” për të pritur sezonin turistik 2021. Nuk ka asnjë dyshim se shetitorja e rikonstruktuar, përbën një aset më shumë të kësaj vere për Sarandën. Pritshmëtitë janë që këtë investim të rëndësishëm ta gjejë të përfunduar nisja e sezonit të ri. Kjo do të thotë përmirësim i ofertës sonë turistike dhe një arësye më shumë për fluks të shtuar pushuesish e vizitorësh.

Puna vazhdon, përgatitjet tona për një ristart të turizmit në Sarandë e Ksamil, vijnë në rritje.

VIZITA E PARË NË SARANDË E ZONJËS PALMIERI, KONSULLE E PËRGJITHSHME E ITALISË NË VLORË

“Italia ka qenë tradicionalisht stacioni i parë, ku shqiptarët kanë parë Perëndimin. Dhe ju e treguat veten mik i mirë me ne, që na u gjendët në kohët e vështira të pas viteve ‘90, e për këtë meritoni mirënjohjen tonë të madhe si popull e si shtet”. Me këto fjalë falenderuese, Kryetari i Bashkisë së Sarandësë, Adrian Gurma i ka dhënë mirëserdhjen në qytetin dhe në Bashkinë e Sarandës, zonjës Iva Palmieri, Konsulle e re e Përgjithshme e Italisë, në konsullatën e Vlorës. Ai tregoi se me Italinë na lidh historia e arkeologjia, zbulimet e bëra nga Luiggi Ugolini në Butrint, memoriali që ngrihet në Kodrën e Marinës në nderim të 150 ushtarëve e oficerëve italianë të divizionit “Perugia”, emri i dikurshëm i vetë Sarandës, që është quajtur “Porto Eda”, prania e konsullatës italiane këtu etj.
Ai është ndalur sidomos në realitetet e sotme, duke nënvizuar se Italinë e ka sjellë më afër prania e Motrave të Qendrës Sociale “Marcelina”, marrëdhëniet e binjakëzimit që Saranda ka prej dekadash me Riccione dhe me Otranto e së fundmi bashkëpunimi që ka nisur për projekte europiane me komunën e Pontecagnano Faiano.
Përfitimi më i madh nga këto kontakte dhe eksperienca, u tha se vjen nga kultura dhe mënyra italiane e të punuarit dhe sidomos të të bërit turizëm. Zoti Gurma u shpreh falenderues për praninë e një fashe të caktuar të turistëve italianë në Sarandë, të moshave të reja, që tipike kanë preferencën e shtëpive të dyta. Me rol të posaçëm në rritjen e këtij fluksi u vlerësua funksionimi i linjës direkte me tragetin Brindizi-Saranda, për të cilin u kërkua edhe bashkëpunimi i konsullatës italiane, për të shtuar frekuencën e udhëtimeve në javë dhe për shtrirje më të gjatë në sezon.
Nga ana e saj, zonja Iva Palmieri, duke falenderuar për pritjen e rezervuar, rikonfirmoi lidhjet e njohura mes Italisë dhe Shqipërisë, nga nuk përjashtohet Saranda, lidhje të cilat janë në planin historik dhe kulturor. “Jemi shumë familjarë si popuj dhe nuk shikoj diferenca në të menduar – u shpreh ajo- aq sa unë kam impresionin dhe ndjesinë e të qënit në shtëpi”. Këshilla e saj ishte që kjo trashëgimi dhe pasuri, që na vjen nga historia dhe arkeologjia, të pasurojë edhe ofertën tuaj turistike.
Pas takimit në zyrë, Kryebashkiaku Gurma dhe Konsullja e Përgjithshme e Italisë, Palmieri, të shoqëruar edhe nga Konsulli i Nderit i Italisë në Gjrokastër, Teodor Bilushi dhe Nënkryetarja e Bashkisë së Sarandës, Lindita Qendro, shetitën së bashku dhe panë nga afër investimin për rikonstruksionin e shetitores së Sarandës.
Zonja Palmieri vizitoi edhe qytetin antik të Butrintit.

Kreu i Bashkisë, Gurma, pret përfaqësues të kompanisë spanjolle që do investojë në Sarandë

Investimi për një aktivitet ekonomik në fushën e peshkimit, ndërthurrur me atraksionin e veçantë në llojin e vet në fushë të turizmit, po projektohet të nisë në Sarandë. Është fjala për kompaninë spanjolle Balfego, lider në botë për investimin në aquakulturë dhe turizëm, që ka shfaqur interes për të investuar në Kepin e Qefalit.
Gjatë pritjes, që Kryebashkiaku Adrian Gurma rezervoi për grupin e drejtuesve dhe specialistëve të Baltego, shoqëruar nga z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë, u tha atyre se “Investitorë si ju i ngrenë vlerën Sarandës si markë turizmi dhe se prezantimi i idesë së investimit tuaj jep shpresë se kjo do të jetë një shtysë e re ndaj sektorit të peshkimit tek ne, por edhe turizmit”. Për këtë z. Gurma siguroi se do të kenë suport maksimal nga pushteti vendor.
Investimi i pritshëm për të nisur qysh në verën e këtij viti, është kaq i thjeshtë: spanjollët do të organizojnë ture turistike, që do të thotë se me një anije të posaçme marrin turistë nga qyteti i Sarandës, çohen në koshat e kultivimit të peshkut në Qefal. Në kushte të plota sigurie, ofrohet që të rrisin adrenalinën duke notuar së bashku me peshq të peshës 200-300 kg, duke u hedhur atyre ushqim e pse jo, prej tyre mund të zgjedhin atë që dëshirojnë për t’u gatuar për ta.
Përfaqësues të kësaj kompanie, që në Spanjë numëron 5 gjenerata, kanë bërë sot navigimin e parë drejt Qefalit, ku janë përzgjedhur hapësira detare të vlerësuara të përshtatshme prej tyre për investimin e pritshëm, në bashkëpunim me kompaninë shiptare “Rozafa”.
Investimi që Balfego projekton të sjellë edhe tek ne, shkon në disa dhjetëra milionë euro dhe parashihet që nga ky aktivitet të qarkullojnë disa qindra milionë euro.