“Italia ka qenë tradicionalisht stacioni i parë, ku shqiptarët kanë parë Perëndimin. Dhe ju e treguat veten mik i mirë me ne, që na u gjendët në kohët e vështira të pas viteve ‘90, e për këtë meritoni mirënjohjen tonë të madhe si popull e si shtet”. Me këto fjalë falenderuese, Kryetari i Bashkisë së Sarandësë, Adrian Gurma i ka dhënë mirëserdhjen në qytetin dhe në Bashkinë e Sarandës, zonjës Iva Palmieri, Konsulle e re e Përgjithshme e Italisë, në konsullatën e Vlorës. Ai tregoi se me Italinë na lidh historia e arkeologjia, zbulimet e bëra nga Luiggi Ugolini në Butrint, memoriali që ngrihet në Kodrën e Marinës në nderim të 150 ushtarëve e oficerëve italianë të divizionit “Perugia”, emri i dikurshëm i vetë Sarandës, që është quajtur “Porto Eda”, prania e konsullatës italiane këtu etj.
Ai është ndalur sidomos në realitetet e sotme, duke nënvizuar se Italinë e ka sjellë më afër prania e Motrave të Qendrës Sociale “Marcelina”, marrëdhëniet e binjakëzimit që Saranda ka prej dekadash me Riccione dhe me Otranto e së fundmi bashkëpunimi që ka nisur për projekte europiane me komunën e Pontecagnano Faiano.
Përfitimi më i madh nga këto kontakte dhe eksperienca, u tha se vjen nga kultura dhe mënyra italiane e të punuarit dhe sidomos të të bërit turizëm. Zoti Gurma u shpreh falenderues për praninë e një fashe të caktuar të turistëve italianë në Sarandë, të moshave të reja, që tipike kanë preferencën e shtëpive të dyta. Me rol të posaçëm në rritjen e këtij fluksi u vlerësua funksionimi i linjës direkte me tragetin Brindizi-Saranda, për të cilin u kërkua edhe bashkëpunimi i konsullatës italiane, për të shtuar frekuencën e udhëtimeve në javë dhe për shtrirje më të gjatë në sezon.
Nga ana e saj, zonja Iva Palmieri, duke falenderuar për pritjen e rezervuar, rikonfirmoi lidhjet e njohura mes Italisë dhe Shqipërisë, nga nuk përjashtohet Saranda, lidhje të cilat janë në planin historik dhe kulturor. “Jemi shumë familjarë si popuj dhe nuk shikoj diferenca në të menduar – u shpreh ajo- aq sa unë kam impresionin dhe ndjesinë e të qënit në shtëpi”. Këshilla e saj ishte që kjo trashëgimi dhe pasuri, që na vjen nga historia dhe arkeologjia, të pasurojë edhe ofertën tuaj turistike.
Pas takimit në zyrë, Kryebashkiaku Gurma dhe Konsullja e Përgjithshme e Italisë, Palmieri, të shoqëruar edhe nga Konsulli i Nderit i Italisë në Gjrokastër, Teodor Bilushi dhe Nënkryetarja e Bashkisë së Sarandës, Lindita Qendro, shetitën së bashku dhe panë nga afër investimin për rikonstruksionin e shetitores së Sarandës.
Zonja Palmieri vizitoi edhe qytetin antik të Butrintit.



