BERDENESHI KA RADHËN PËR INVESTIME TË RËNDËSISHME

Berdeneshi ka qenë ndalesa e radhës për dëgjesat publike mbi buxhetin e vitit 2022. “Nuk kemi bërë sa kemi dashur, por sa kemi mundur”, u tha banorëve të pranishëm në takim Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Përmirësimi i furnizimit me ujë dhe energji elektrike, ndërkohë që fshati rritet me shpejtësi, u renditën ndër shërbimet e ofruara më mirë. Kujdesi për legalizimin e ndërtimeve ka qenë në rritje dhe 39 familje kanë gati çertifikatat e pronësisë së tokës. Banorët që morën fjalën përgjithësisht ishin realistë në vlerësimin e atyre që janë bërë. E megjithëkëtë ishin kërkues për më shumë vëmendje dhe shërbime komunitare. Ata folën dhe kërkuan të kenë ndriçim publik më të mirë e të shtrirë deri në shtëpitë e fundit në fshat, të mos u pakësohet uji në verë, t’u jepen mjaftueshëm kosha mbetjesh urbane, të vendosen tabela në rrugë, për të shmangur aksidentet dhe të kenë akses për ndërtime edhe me vërtetime hipotekore. Në përgjigje të kërkesave kryesore, u tha se tani është radha e Berdeneshit për investim serioz për ujin e pijshëm, duke bërë linjën Çukë-Berdenesh. Po kështu, u dha drita jeshile për aplikim në urbanistikë me vërtetim hipotekor dhe u ftuan banorët që të bëhen përdorues të 120 ha kullota, që janë pronë e bashkisë. Për mjedis të pastër në fshat, u tha se koshat e mbetjeve do të shtohet, por duhet shtuar shumë edhe përgjegjshmëria dhe penaliteti për çdo përdorues të keq të fondeve për pastrimin apo shpërdorues të infrastrukturës që vihet në dispozicion.

 

TRI SFIDAT E SARANDËS, NË TRYEZË ME BANORËT E 4 LAGJEVË

Trafiku, uji dhe pastrimi janë veçuar nga Kryetari Adrian Gurma, si tri sfidat e mëdha të Sarandës për vitin që vjen, në dy dëgjesat me banorë të katër lagjeve të qytetit. Rreth tyre është diskutuar e janë shfaqur mendime të dobishme, pasi përmbanin shqetësim, përgjegjshmëri dhe angazhim qytetar. Përtej vlerësimit të zgjidhjeve të mira që janë dhënë nga Bashkia aktuale për shqetësime apo mungesa konkrete, folësit në dëgjesa reflektuan interesa komunitare, duke anashkaluar kërkesat vetiake. E përbashkëta e dy dëgjesave ishte takimi në idenë që Bashkia të mund të ofrojë më shumë investime dhe shërbime më 2022, brenda mundësive të saj financuese, ndërkohë që, për investime të mëdha të lobojë më mirë pranë qeverisë e tek donatorët, por edhe biznesi që fiton shumë duhet të jetë i përfshirë në dhënien e zgjidhjeve komunitare.
U nënvizua që, me këtë përdorim të alternuar të kapaciteteve, është plotësisht e arritshme që Saranda të ketë rrugë më të mira, furnizim më të garantuar me ujë të pijshëm, divorc nga ndotjet, trafik të lehtësuar, imazh dhe frymë mikpritjeje, që përkthehen në më shumë turistë dhe më shumë mirëqenie. Sigurisht që thekset e forta u vunë në kërkesën që buxheti i vitit 2022 të parashikojë shpenzime të shpërndara në mënyrë të harmonishme midis lagjeve, duke zgjedhur në mënyrë të studjuar mes listës së propozimeve të bëra nga banorë të të katër lagjeve. Vështrimi u hodh përtej shetitores dhe qendrës, duke kërkuar që të bëhen investime edhe në rrugët e tjera të qendrës, siç është Rruga e Tregtarëve, apo në periferitë e në brendësitë e lagjeve, për të zvogëluar diferencat e derisotme. U kërkua të shihet mundësia për parkim të nëndheshëm, të shtohen shkalkaret, të bëhen korrigjimet e gabimeve të bëra në vite në zgjedhjen e llojeve të pemëve dekorative, të krijohen Parqe Publike për rekreacion të të gjitha moshave, të investohet për t’i dhënë Sarandës terminalin akoma të munguar të autobusëve. Pk kështu, u fol për kurimin e nevojshëm të imazhit fizik, sidomos të pallateve më të hershme në moshë, apo unifikimin kohë pas kohe të fasadave të ndërtesave. Përvoja e funksionimit të administratorëve të pallateve, u vlerësua si nevojë dhe si burim të ardhurash për të investuar në imazhin dhe jetëgjatësinë e tyre.
Në fushën e kulturës qytetare u propozua që rrugët tona të arredohen me shije dhe me shpenzime të vogla të nxitet gara e kultivimit dhe ekspozimit të luleve nëpër dritare dhe ballkone.
U dha edhe një herë siguria se viti 2022 nuk do të ketë rritje të taksave dhe tarifave për qytetarët, ndërkohë që në favor të tyre do të shkojnë më shumë investime e shërbime, pasi këtë e lejojnë të ardhueat më të mëdha, që erdhën nga një sezon turistik më i mirë. Njëherësh, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se “që të japim mbështetje të mirë, duam edhe mbështetjen e qytetarëve me plotësim detyrimesh dhe me qasje qytetare”.

PASTRIMI MBETET KRYEFJALA DHE KRYEPUNA

Njësia mbështetëse për pastrimin vazhdon të bëhet faktor në mënjanimin e vendeve të kthyera në vendgrumbullime ndotëse për mjedisin në vite. Kontrolli i hapësirës nga Saranda në Ksamil, përfshirë edhe akset rrugore e pastaj heqja e mbetjeve të hedhura, është një punë e përditshme e kësaj njësie. Pas kësaj, do jetë e patolerueshme dhe e ndëshkueshme hedhja e mbetjeve nga kalimtarët apo udhëtarët, duke mos lejuar rikrijimin e vatrave të ndotura.

FTESË PËR DËGJESË PUBLIKE ME BANORË TË SARANDËS

Në vijim të këshillimeve me publikun, për projekt buxhetin 2022, dita e enjte, 11 nëntor 2021, është rezervuar për të dëgjuar propozime, sugjerime e mendime nga qytetarë e Sarandës.
Janë të lutur të gjithë qytetarët të përfshihen dhe të bëhen pjesë e këtij diskutimi në sallën pranë e Bashkisë Sarandë, duke respektuar edhe masat anti COVID-19.
Në orën 10:30 diskutimi do të jetë me banorë të lagjeve 1 e 2, ndërsa në orën 12:00 me banorë të lagjeve 3 e 4, të qytetit.
Jeni të mirëpritur!

BASHKIA SARANDË