DHURATA E BASHKISË TEK ÇDO FËMIJË NË ÇERDHE E KOPSHTE PUBLIKE

Këto ditë në vigjilje të Krishtlindjeve dhe për festat e fundvitit, si një kartolinë e bukur urimi, ka shkuar dhurata me logon e Bashkisë së Sarandës. Të parët që ekanë marrë atë, ishin vogëlushët e kopshteve, duke filluar nga ata që frekuentojnë këto institucione të ciklit parashkollor në Gjashtë, Çukë e Ksamil. Shpërndarja e dhuratave nga Babagjyshi ka vijuar në kopshtet e çerdhet publike që funksionojnë në qytetin e Sarandës. Kudo Babagjyshi i dhuratave të Bashkisë, është pritur me atmosferë festime, me veshjet më të bukura dhe me simbolikë festash, me zbukurime të mjediseve e klasave dhe me koncerte festive, përgatitur me kujdesin e edukatoreve. Atmosferën festive e bënë më të gëzueshme urimet për Krishtlindje të bekuara dhe për shëndet, mbarësi e lumturi në Vitin e Ri 2022, që po presim.

 

ME URIME, DHURATA DHE LAJME TË MIRA PËR BANORËT E SHTËPISË SË FËMIJËS

Ndalesa më e veçantë në këto ditë urimesh e dhuratash për Krishtlindjet dhe festat e fundvitit, ishte ajo në Shtëpinë e Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë. Tek banorët e kësaj Shtëpie Sociale shkoi e personalizuar dhurata me logon e Bashkisë, ndarë për secilin prej 30 fëmijëve nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, ndërkohë që edhe deputetja Anila Denaj dha dhuratat e saj. Drejtorja e institucionit Stela Dako, pasi falenderoi Bashkinë, deputeten e zonës, Fondacionin “Shpresë për Botën” dhe stafin e shkollës “Adem Sheme”, për mbështetjen dhe qëndrimin pranë këtyre fëmijëve jo vetëm në festa, tha se këta fëmijë, sa çamarrokë duken, aq të ndjeshëm e të talentuar janë. “Ajo që duhet dhënë pa kursim për këta fëmijë, është dashuria”, tha ndër të tjera deputetja Anila Denaj, ndërkohë që ka shprehur shumë mirënjohje për edukatoret, që janë kthyer në Nëna për këta fëmijë. Bashkë me urimet për festat, Kryebashkiaku Adrian Gurma ishte falenderues për punën e stafit të institucionit, duke sjellë në kujtesë aktin e edukatoreve, të cilat në grup, u karantinuan vullnetarisht në institucion gjatë pandemisë, duke lënë në plan të dytë fëmijët e shtëpive të tyre. Kreu i Bashkisë Gurma ka konkretizuar vëmendjen e shtuar ndaj këtij institucioni, me lajmin se në buxhetin 2022 Bashkia e Sarandës ka destinuar fondin që do t’i bëjë kushtet në këtë Institucion social, të krahasueshme me kushtet në shëpitë më komode e më të arreduara në qytet. Edhe fëmijët nga ana e tyre bënë dhuratë një koncert shumë të veçantë, me këngë, balet, me pjesë të luajtura në piano nga vetë ata dhe sidomos me inskenimin teatral të një përralle, që dha mesazhin se kush fal dashuri dhe mirësi, lumturohet më shumë se ai që e merr.

 

DHURATA EDHE PËR SHKOLLARËT E CIKLIT TË ULËT

Edhe nxënësit e ciklit të ulët të të gjitha shkollave publike të sistemit 9-vjeçar në territorin e Bashkisë së Sarandës, u gëzuan me dhuratën me logon e Bashkisë. Këto dhurata u shpërndanë në këto ditë duke nisur me shkollat e periferisë: nga shkolla “Shefqet Sulejmani” në Gjashtë, në shkollën e Çukës e te “5 Dëshmorët” në Ksamil. Më pas Babagjyshi vizitoi dhe gëzoi me dhurata fëmijët e shkollave “9 Tetori” e “Adem Sheme”. Urimi për Krishtlindje të gëzuara dhe për shëndet e suksese në mësime gjatë vitit 2022, shoqëroi atmosferën e gëzueshme që u krijua

 

KËSHILLI BASHKIAK MIRATON PROJEKTBUXHETIN PËR VITIN 2022

Projekti I buxhetit të Bashkisë për vitin 2022 është kthyer në buxhet, pas votës së Këshllit Bashkiak, në mbledhjen e mbajtur më 22 dhjetor 2021. Kryetari I Bashkisë, Adrian Gurma, e prezantoi projekbuxhetin e vitit të ardhshëm, si dokumentin që mundëson vendosjen e standarteve të larta në shërbimet publike e në infrastrukturë më bashkëkohore, siç i kërkon industria e turizmit, që është promotore e ekonomisë kombëtare dhe asaj vendore. Kreu I Bashkisë Gurma, u ndal në disa veçori të projektit të paraqitur për miratim. Ato lidhen me planifikimin me rritje 5% të burimeve nga të ardhurat vendore, me rritjen me 10% më shumë të shpenzimeve për vitin 2022, rritje që u cilësua se është e përballueshme nga të ardhurat e veta, nga tarifat dhe taksat e mirëmenaxhuara. Ndër shërbimet e mbështetura më fuqishëm nga buxheti i vitit të ardhshëm, u veçua ai I pastrimit dhe përpunimit të mbetjeve në të gjithë territorin e Bashkisë, në mbështetje të nismës për mjedis të pastër. Mbështetje më të plotë i jep projektbuxheti I vitit 2022 investimeve, të cilat zenë 28% të buxhetit, ku përparësinë e kanë ato që u evidentuan në 12 dëgjesat publike. E po ashtu, buxhetohen me 35% rritje veprimtaritë social-kulturore dhe eventet lokale, si dhe politikat sociale e ato në sektorin e bujqësisë. Këto karakteristika dalluese të projektbuxhetit 2022, u vlerësuan edhe nga këshilltarët, përmes fjalës së kryetarëve të komisione vet ë Këshillit Bashkiak e nga diskutimet e veçanta të disa prej këshilltarëve bashkiakë. Ndërkohë, ata drejtuan edhe një varg pyetjesh, për të cilat u dhanë përgjigje shteruese nga Kryetari I Bashkisë dhe nga drejtuesit e drejtorive përkatëse. Shqyrtimi i projektbuxhetit në Këshillin Bashkiak, u shoqërua edhe me mjaft propozime të dobishme të bëra nga këshilltarë bashkiakë,. Me vlerësimin e mjaft prej propozimeve të bëra si të dobishme, projektbuxheti i ri mori votën pro të këshilltarëve të pranishëm, shoqëruar me kërkesën që në variantin përfundimtar të reflektojnë edhe propozimet më thelbësore. Në seancën e shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit, asistoi edhe Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, çka ndodh për herë të pare. Prania e tij reflekton vëmnendjen e posaçme që Qeveria i jep kërkesës që në projektbuxhetet e vitit që vjen të mbështetet fuqishëm nisma për mjedis të pastër në të gjithë vendin.