THIRRJE PER APLIKIME- PRONAR SOCIAL

Bashkia Sarandë shpall Thirrjen për aplikime për të gjitha subjektet publike e private të cilët janë të interesuar për të fituar statusin “ Pronar Social” ne zbatim të nenit 23, pika 2 të ligjit nr.22.2018 “ Për Strehimin Social”

“Pronar Social” është çdo subjekt publik, përveç njësive të vetëqeverisjes vendore, si edhe çdo subjekt privat, që investon në banesa sociale me qira ose që disponon banesa për t’i dhënë me qira, për familjet në nevojë për strehim.
Pronari Social mbështet nëpërmjet financimeve për subvencionimin e qerasë për familjet përfituese të miratuar nga Këshilli Bashkiak
Çdo subjekt publik apo privat që disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet ne nevojë për strehim, mund të aplikojë pranë bashkësisë për t’u regjistruar si “Pronar Social” nëse plotëson kriteret e mëposhtme:
1. Banesa plotëson kushtet teknike dhe normat e strehimit në fuqi.
2. Qeraja e banesës nuk është më e lartë se qeraja mesatare në tregun e lirë
3. Nënëshkrimi i një deklarate që nuk do të refuzojë qiramarrës për arsye që përbëjnë diskriminim
4. Nënëshkrimi i një marrëveshje ndërmjet pronarit social dhe bashkisë që parashikon:
– Afatin e marrëveshjes që nuk mund të jetë më pak se tre vjet
– Masën e qerasë mujore dhe mënyrën e shlyerjes së saj
– Mënyrën e administrimit të pronës dhe të mardhënieve me qeramarrësin
Dokumentacioni i nevojshëm:
1. Deklaratë për shprehje interesi për të aplikuar si “Pronar Social”
2. Shprehje të dakortësisë që nuk do të refuzojë qiramarrës për arsye diskriminuese
3. Vërtetetim pronësie mbi banesën/ banesat në pronësi që jepen me qera për familjet në nevojë për strehim
4. Ekstrakt QKR-së për personat fizik/juridik
5. Fotokopje e kartes së ID
6. Adrese të saktë

Afati i aplikimeve der më 28.02.2022
Aplikimet të dorëzohen pranë zyrës së informacionit pranë Bashkisë Sarandë

PROMOVOHET DHE “ÇERTIFIKOHET” DOKUMENTARI “SARANDA E BUKURIVE”

Nuk ka qenë fare rastësi që në një ditë diellore si e sotmja, Saranda ka zgjedhur të bëjë promovimin e dokumentarit më të ri që u shtohet materialeve promo të Sarandës. “Saranda e bukurive” titullohej dokumentari i shfaqur premierë në mjediset e Galerisë “Art-Saranda”, në prani të elitës intelektuale, të njerëzve nga fusha e krijimit dhe mediave të qytetit. Autoret e këtij dokumentari: Vasilika Londo dhe Ketrin Gjoça, dy emra të njohur të Televizionit publik Shqiptar, u ndjenë të vlerësuara teksa produkti i tyre krijoi emocion dhe erdhi si një rrëfim filmik i të veçantave të Sarandës, të historisë dhe të sotmes së saj, përmes personazheve dhe personaliteteve të spikatura. Projekti u mundësua me mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe Kryebashkiaku Adrian Gurma e vlerësoi dokumentarin si një realizim ku teknologjia, mjeshtëria dhe dashuria për Sarandën janë shprehur në nivelin më të lartë. Nga mjaft të pranishëm në shfaqjen premierë të dokumentarit u tha se dokumentari është aset i çmuar për promovimin e bukurive dhe trashegimise së Sarandës, që sot është markë e turizmit. E ky vlerësim ishte edhe si një çertifikim që dokumentari të shfaqet në ekranet e televizioneve, të gjendet në youtube apo në rrjetet sociale.

 

KËSHILLI BASHKIAK NË MBLEDHJEN E PARË TË VITIT

Këshilli Bashkiak i Sarandës ka zhvilluar më 28 janar, mbledhjen e tij të parë për vitin 2022, me një prani shumë më të shtuar të këshilltarëve. Vendimmarrja e kësaj mbledhjeje u dha miratim disa projektvendimeve që lidhen me profilin social të Bashkisë. Të tilla ishin miratimi i ndihmës ekonomike për muajin e fundit të vitit 2021, miratimi i kritereve për dhënien e ndihmës ekonomike që jepet nga fondi i kushtëzuar i bllok-skemës, si dhe nga fondet e buxhetit vendor për vitin 2022. I rëndësishëm ishte vendimi për heqjen e detyrimit mujor financiar për ushqimin këtë vit në çerdhe e kopshte publike, si dhe për ata që do të trajtohen në institucionin e Qendrës Ditore Polivalente. Çështja që mori më shumë kohë e vëmendje, ishte ajo për rritjen e nivelit të pagave për nëpunësit civilë dhe për punonjësit administrativë të Bashkisë. Nga disa këshilltarë, si: Mehmet Nelaj, Sinan Ahmeti, etj, është kërkuar arsyeja se përse prej 7 vitesh, është punuar me paga të ulëta të punonjësve, kryesisht në ndërmarrjen e shërbimeve publike. Për këto problematika, kanë informuar Teuta Stroka drejtore ekonomike, dhe sekretari i pergjithshëm i kësaj bashkie Eleron Gjoni, duke argumentuar se kjo bëhet tani, për të sjellë një motivim më të mirë të atyre punonjësve në punë, e lidhur ngushtë kjo edhe me mundësinë që jep shtimi i të ardhurave vendore. Me rëndësi ishin edhe ndryshimet e bëra nga mbledhja e parë e vitit nga Këshilli Bashkiak, lidhur me organizimin dhe funksionimin e transportit taksi në qytetin e turizmit. Në këtë çështje është miratuar propozimi i këshilltares Dafina Allkushi, për vjetërsinë deri në 18 vite të automjeteve taksi në përdorim, si një mbështetje ndaj kërkesave të mjaft taksistëve të liçensuar.

FINALIZOHET KONKURSI “EDU-ART” NË DITËN NDËRKOMBLTARE TË EDUKIMIT

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit, u shpalos një botë plot me ngjyra, me ide kreative të 158 nxënësve të ciklit 9-vjeçar e të mesëm të shkollave në Bashkinë e Sarandës. Kjo Bashki, nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit Adrian Gurma dhe në partneritet me Zyrën Vendore Arsimore, organizoi konkursin “Edu-Art” në pikturë, ese, vizatim, video sensibilizuese dhe kolazhe. Punët e paraqitura në këtë Konkurs u publikuan përpara institucionit të Bashkisë në kavaleta, si dhe në hollin e brendshëm, të printuara në formatin 50 x 70 cm. Duke përshëndetur nxënësit, mësuesit dhe prindërit e pranishëm në ceremoninë promovuese të këtij eventi, Kryebashkiaku Adrian Gurma vlerësoi se me këtë konkurs jemi të gjithë të fituar, pasi morëm dhe dhamë mesazhe të dobishme për edukimin dhe besoj që kemi nxitur krijimin mes shkollarëve tanë. “Çdo ditë është një ditë e mirë për të mësuar”, ishte mesazhi i Kryetarit Gurma, i cili ishte falenderues për secilin nxënës e mësues dhe drejtues shkolle, të përfshirë. Mes entuziazmit dhe interesit të të pranishmëve, u dorëzuan çmime për 28 punimet e vlerësuara më të realizuara në disa zhanre krijimi. Emocionues ishte angazhimi, si moderator i dhënies së çmimeve, i nxënësit Mateo Minga, nga Qendra për Zhvillim e Bashkisë së Sarandës. Vetë Mateo meritoi Çmimin e Publikut, për videon sensibilizuese me mesazhe të fuqishme për edukim e krijim. Finalizimi i Konkursit “Edu-Art”, ishte aktiviteti i parë i një zinxhiri veprintarish të programuara për vitin 2022. Në 24 janarin e një viti më parë Bashkia e Sarandës inicoi lëvizjen “Merr një libër, sill një libër”, duke instaluar Shtëpizat e Librit përpara Bashkisë, në shetitoren e restauruar dhe në Ksamil. Në këtë 24 janar Konkursi “Edu-Art” ishte një tjetër gjetje, me impakt komunitar për edukim e krijim.