Nuk ka qenë fare rastësi që në një ditë diellore si e sotmja, Saranda ka zgjedhur të bëjë promovimin e dokumentarit më të ri që u shtohet materialeve promo të Sarandës. “Saranda e bukurive” titullohej dokumentari i shfaqur premierë në mjediset e Galerisë “Art-Saranda”, në prani të elitës intelektuale, të njerëzve nga fusha e krijimit dhe mediave të qytetit. Autoret e këtij dokumentari: Vasilika Londo dhe Ketrin Gjoça, dy emra të njohur të Televizionit publik Shqiptar, u ndjenë të vlerësuara teksa produkti i tyre krijoi emocion dhe erdhi si një rrëfim filmik i të veçantave të Sarandës, të historisë dhe të sotmes së saj, përmes personazheve dhe personaliteteve të spikatura. Projekti u mundësua me mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe Kryebashkiaku Adrian Gurma e vlerësoi dokumentarin si një realizim ku teknologjia, mjeshtëria dhe dashuria për Sarandën janë shprehur në nivelin më të lartë. Nga mjaft të pranishëm në shfaqjen premierë të dokumentarit u tha se dokumentari është aset i çmuar për promovimin e bukurive dhe trashegimise së Sarandës, që sot është markë e turizmit. E ky vlerësim ishte edhe si një çertifikim që dokumentari të shfaqet në ekranet e televizioneve, të gjendet në youtube apo në rrjetet sociale.