MIRËNJOHJE, LULE DHE URIME PËR MISIONARËT E DIJES

Dita e 7 Marsit ishte e tëra e mbushur me veprimtari të shumta e të larmishme. Me shumë lule, shumë urime dhe falenderime nisi kjo ditë në shkollat e Bashkisë së Sarandës, në qytet dhe në fshatra. Bashkia u bë promotore dhe organizatore e veprimtarive të tjera, pas asaj për Kupën “7 Marsi” në basketboll për djem e vajza nga shkollat 9-vjeçare. Në sallën e Bashkisë Sarandë u organizua veprimtaria kulturore dedikuar misionarëve të dijes. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma në përshëndetjen e vet ishte falenderues për gjithë përkushtimin e mësuesve në mësimdhënie dhe në përcjelljen e vlerave qytetare, ka nderuar mësuesit në pension dhe tha se mbështetja e arsimit në të gjitha nivelet, është homazhi më i mirë që mund t’u bëhet mësuesve të ndarë nga jeta. Së bashku me deputetin Niko Kuri, me përgjegjësen e Zyrës Vendore të Arsimit, Majlinda Mavro dhe Nënprefektin Mirosh Birjani, shpërndanë Çertifikata vlerësimi për 20 mësuesit me performancën më të mirë në këtë vit mësimor. Një karafil dhe një drekë mirënjohjeje u dha nga Kryebashkiaku Adrian Gurma për mësues në pension, ku 10 mësuesit e pensionuar gjatë vitit 2020 e 2021, u nderuan me Çertifikatë Mirënjohjeje. Urimi për të gjithë ishte “Gëzuar 7 Marsin!” dhe që modelin e përkushtimit të tyre në Mësuesi, ta kenë si trashëgimi të vyer ata që shërbejnë sot si profesionistë e misionarë të dijes.

 

“BUTRINTI” RRËMBEN NJË TREPIKËSH TË ARTË NË PEQIN

 Ekipi i “Butrintit” ka marrë sot një fitore jashtë fushe me “Shkumbinin” e Peqinit, në shifrat 1-2,me gola, të Jaupaj e Alinanit, në minutat 41 e 48-të dhe të Nunes për vendasit në minutën e 89-të. Një fitore me vlerën e tri pikëve, por që ngre lart moralin e skuadrës për vijimësinë e garës. Me këtë fitore “Butrinti” renditet në vendin e 11-të në klasifikim. Javën e ardhshme pret në Sarandë ekipin e Maliqit, ku rezultati i vetëm është fitorja, drejt objektivit për qëndrimin në Kategorinë e Parë.

ORGANIZOHET “KUPA 7 MARSI” NË BASKETBOLL

Veprimtaritë në kuadër të Ditës së Mësuesit, nuk kanë pritur 7 Marsin. Një minikampionat basketbolli, organizuar nga Bashkia dhe Zyra Vendore e Arsimit, i parapriu veprimtarive të tjera, të programuara me këtë rast. Megjithë motin jo shumë të përshtatshëm, djem dhe vajza nga shkollat 9-vjeçare të Bashkisë së Sarandës, luajtën në fushën e basketbollit mbi Stadiumin e Lojërave me dorë “Aleko Dajko”, duke u përballur me shpirt gare dhe cilësi sportive. Në përfundim të takimeve u zhvillua ceremonia përmbyllëse e aktivitetit, i cila u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë,Adrian Gurma dhe drejtuesja e Zyrës Arsimore, Majlinda Mavro. Kupa “7 Marsi” për vajza, shkoi në shkollën “9 Tetori”, ndërsa për ekipin e djemve kupën e meritoi shkolla “Adem Sheme”. Lojtarët më të mirë u vlerësuan Evi Xhuvani e Mario Gjoka. Falenderim të veçantë shprehu kryebashkiaku Adrian Gurma për çdo nxënës pjesëmarrës në këtë aktivitet sportiv, si dhe për trajnerët e ekipeve dhe mësuesit e angazhuar të edukimit sportiv në shkolla, si dhe falemderim i veçantë për mësuesit e apasionuar, Bruna Paci, Margarit Çakalli, Arlind Kuci, Lorenc Risti, Bruno Hajno e Pajtim Seferi. Ky ka qenë rasti për të rikonfirmuar para nxënësve dhe mësuesve mbështetjen në rritje të Bashkisë së Sarandës për infrastrukturë më të kompletuar, në shërbim të rritjes së lëvizjes sportive dhe rritjes së cilësisë dhe edukimit të brezit të ri.

 

 

 

📢📢Njoftim!

Pas pjesëmarrjes nga organizatat e shoqërisë civile me projekt-propozimet e tyre në thirrjen e parë publike të Bashkisë Sarandë në kuadër të programit #ReLOaD2, më poshtë janë publikuara rezultatet përfundimtare.

Rezultatet