Dita e 7 Marsit ishte e tëra e mbushur me veprimtari të shumta e të larmishme. Me shumë lule, shumë urime dhe falenderime nisi kjo ditë në shkollat e Bashkisë së Sarandës, në qytet dhe në fshatra. Bashkia u bë promotore dhe organizatore e veprimtarive të tjera, pas asaj për Kupën “7 Marsi” në basketboll për djem e vajza nga shkollat 9-vjeçare. Në sallën e Bashkisë Sarandë u organizua veprimtaria kulturore dedikuar misionarëve të dijes. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma në përshëndetjen e vet ishte falenderues për gjithë përkushtimin e mësuesve në mësimdhënie dhe në përcjelljen e vlerave qytetare, ka nderuar mësuesit në pension dhe tha se mbështetja e arsimit në të gjitha nivelet, është homazhi më i mirë që mund t’u bëhet mësuesve të ndarë nga jeta. Së bashku me deputetin Niko Kuri, me përgjegjësen e Zyrës Vendore të Arsimit, Majlinda Mavro dhe Nënprefektin Mirosh Birjani, shpërndanë Çertifikata vlerësimi për 20 mësuesit me performancën më të mirë në këtë vit mësimor. Një karafil dhe një drekë mirënjohjeje u dha nga Kryebashkiaku Adrian Gurma për mësues në pension, ku 10 mësuesit e pensionuar gjatë vitit 2020 e 2021, u nderuan me Çertifikatë Mirënjohjeje. Urimi për të gjithë ishte “Gëzuar 7 Marsin!” dhe që modelin e përkushtimit të tyre në Mësuesi, ta kenë si trashëgimi të vyer ata që shërbejnë sot si profesionistë e misionarë të dijes.
















































































