FËMIJËT E SPEKTRIT AUTIK SHFAQIN VETVETEN DHE NDËRGJEGJËSOJNË

Në 2 Prill, Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin, ishin fëmijët e spektrit autik dhe stafi i Qendrës për Zhvillim, që morën vëmendje dhe mbështetje, përmes aktivitetit të organizuar nga vetë ata në mjediset e Galerisë “Art Saranda”. Mes tyre ishin edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma dhe deputetja Anila Denaj, që gjithashtu veshën t-shirte me logon e Qendrës për Zhvillim. Mateo, një prej fëmijëve të kësaj Qendre, duke falenderuar për mbështetjen, dha mesazhin e kësaj dite ndërgjegjësimi: se ata kanë nevojë të pranohen, të integrohen dhe të socializohen. Kryetari Gurma dhe deputetja Denaj, në përshëndetjet e tyre, shprehën ndjeshmëri dhe mbështetje për fëmijët e spektrit autik. Disa momente nga puna plot përkushtim dhe profesionalizëm që bëhen në Qendrën për Zhvillim të Sarandës, të pranishmit i ndoqën nëpërmjet projeksionit të një videoprezantimi. Mbështetja për këta fëmijë u shpreh simbolikisht nga të pranishmit, edhe me vënien e pëllëmbës së ngjyrosur në banerin, ku shkruhej “Jam mes jush: i ngjashëm, i ndryshëm, i barabartë”.

 

NJOFTIM

Bazuar ne Udhezimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. “Për nevoja të mbrojtjes së mjedisit, parandalimit të ndotjes së mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, caktimin e ditës pa makina:

Duke filluar nga data 03.04.2022, e diela e parë e cdo muaji do të caktohet “Ditë pa Makina” në Bashkinë Sarandë.

Në ditët pa makina disa rrugë të qytetit nga ora 09:00 deri ne orën 18:00 do të kenë kufizim të qarkullimit të të gjithë automjeteve, përveç mjeteve të urgjencës ( ambulancë, zjarrfikse, mjete të policisë së shtetit.)

Rrugët që do të aplikohet ky kufizim janë si më poshtë vijon:

• Aksi rrugor nga kryqëzimi rrugës “Abedin Dino” me rrugën “Adem Sheme” deri në kryqëzimin e rrugës “Skenderbeu” me rrugën “Onhezmi”.
• Rruga e “Flamurit”.
• Aksi i rrugës nga kryqëzimi i rrugës “Vangjel

Pandi” me rrugën “Onhezmi” deri në qëndër.
Për t’i dhën mundësi qytetarëve që të shfrytëzojinë qetësisht rrugët dhe njëkohësisht të përmbushin detyrimet dhe nevojat e tyre.

Bashkia Sarandë në bashkëpunim me Policinë e shtetit dhe Policinë Bashkiake do të marrë të gjitha masat për kufizimin e automjeteve në datën 03.04.2022 e në vazhdim të dielën e parë të cdo muaji në vijim.

Faleminderit për mirëkuptimin!

PËRMBYLLET KËSHILLIMI KOMBËTAR

Nisma “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin” ka kaluar një sprovë të rëndësishme. Në harkun kohor të tre muajve të parë të këtij viti, si në të gjithë vendin, edhe në Sarandë, qytetarët janë përfshirë në këtë bashkëbisedim me Qeverinë Rama. Ata kanë dëshmuar ndjeshmëri dhe përgjegjësi qytetare, duke shprehur opinionet apo sugjerimet e tyre, në përgjigje të rubrikave të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar. Në masë përgjigjet janë dërguar në rrugë postare, ndërkohë që një fashë mjaft e gjerë qytetarësh janë asistuar duke u mundësuar atyre plotësimin e pyetësorit pranë stendës së Bashkisë së Sarandës, të instaluar në sheshin kryesor të qytetit. Në përmbyllje të Këshillimit Kombëtar, Bashkia është falenderuese për të gjithë ata qytetarë që u përfshinë në këtë proces e po ashtu edhe për vullnetarët që e asistuan atë.