Në 2 Prill, Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin, ishin fëmijët e spektrit autik dhe stafi i Qendrës për Zhvillim, që morën vëmendje dhe mbështetje, përmes aktivitetit të organizuar nga vetë ata në mjediset e Galerisë “Art Saranda”. Mes tyre ishin edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma dhe deputetja Anila Denaj, që gjithashtu veshën t-shirte me logon e Qendrës për Zhvillim. Mateo, një prej fëmijëve të kësaj Qendre, duke falenderuar për mbështetjen, dha mesazhin e kësaj dite ndërgjegjësimi: se ata kanë nevojë të pranohen, të integrohen dhe të socializohen. Kryetari Gurma dhe deputetja Denaj, në përshëndetjet e tyre, shprehën ndjeshmëri dhe mbështetje për fëmijët e spektrit autik. Disa momente nga puna plot përkushtim dhe profesionalizëm që bëhen në Qendrën për Zhvillim të Sarandës, të pranishmit i ndoqën nëpërmjet projeksionit të një videoprezantimi. Mbështetja për këta fëmijë u shpreh simbolikisht nga të pranishmit, edhe me vënien e pëllëmbës së ngjyrosur në banerin, ku shkruhej “Jam mes jush: i ngjashëm, i ndryshëm, i barabartë”.