GURMA: KOSOVA VJEN NË SARANDË NË DETIN E VET

Fryma falenderuese që shqiptarët e Kosovës mbeten në çdo situatë preferues të Sarandës për pushimet e tyre, ishte zotëruese në takimin mes Kryebashkiakut Adrian Gurma dhe ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi. Kreu i Bashkisë Gurma rikonfirmoi se shqiptarët e Kosovës vitalizuan turizmin tonë edhe në kohë të vështira si ato nën pandemi. Ai u shpreh falenderues që sllogani “Pusho shqip” nisi si apel dhe u bë realitet. “Ne jemi të privilegjuar për këtë realitet, pasi bregdeti shqiptar është i gjerë, por zgjedhja e Sarandës është bërë kur ka edhe alternativa të tjera. Prandaj ne themi se Kosova vjen këtu në detin e vet”, vlerësoi Gurma. Ambasadori Durmishi tha se “Me rolin tonë koordinues, duhet t’i japim më shumë përmbajtje Sarandës edhe në komponentë të tjerë, si: me takime sportesh, poetësh, biznesesh etj”. Ai kërkoi që ambasada e Kosovës në Tiranë të konsiderohet pjesë e këtij partneriteti. Biseda mes kreut të Bashkisë Gurma dhe ambasadorit Durmishi u zhvillua në atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, për më të mirën e marrëdhënieve mes Sarandës e komunave të Kosovës në çdo fushë. Bashkia e Sarandës do të jetë së shpejti e pranishme me “Ditën e Sarandës” në Prishtinë dhe me një tur vizitash në komunat e binjakëzuara, si: Gjakova e Suhareka.

 

KËSHILLI BASHKIAK MBLIDHET NË KSAMIL

Siç ndodh në mënyrë periodike, mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Sarandë, u zhvendos në Njësinë Adimistrative Ksamil. Në krye të rendit të ditës së kësaj mbledhjeje, ishte vendimmarrja e natyrës sociale, e lidhur me dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi 6% i bllokskemës së ndihmës ekonomike për muajin mars 2022, me ndihmën ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë për këtë muaj,si dhe për mbështetjen financiare për familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, nga të ardhurat e Bashkisë, për zbutjen e efekteve të ndikuara nga lufta në Ukrainë, me shtesën mujore prej 3,000 lekësh. Këshilltarët Bashkiakë dëgjuan dhe vlerësuan raportimin e bërë nga specialistët e bashkisë, mbi situatën e pyjeve e kullotave, për masat e mbrojtjes nga zjarri, si dhe për përgatitjet për sezonin turistik. U raportua mbi risitë që pritet të shoqërojnë sezonin “Verë 2022” dhe u dhanë argumenta se ku mbështeten pritshmëritë për një sezon të mbarë. U prezantua se ndër veçoritë e sezonit “Verë 2022” janë se ai ka nisur më herët, do të ketë ofertë të diversifikuar përtej kufijve territorialë, përtej kufijve stinorë dhe shoqëruar nga evente artistike, kulturore e sportive.

 

UNAZA PANORAMIKE POSHTË LËKURËSIT BËHET GATI PËR SEZONIN

Investimi për bypasin e Rrugës Nr.1 Lëkurës- Kanali i Çukës, po ecën ritmikisht, me synimin që të jetë funksional në nisje të sezonit “Verë 2022”. Në nisje të aksit ka nisur hedhja e shtresës asfaltike, ndërkohë që punimet vazhdojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës. Ky bypas do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, sidomos të turistëve që kanë destinacion Ksamilin, pasi jo domosdoshmërisht do kalojnë nga Saranda. Përveç kësaj, udhëtimi në këtë aks do të jetë panoramik dhe do të rritë dukshëm vlerën e pronave që ngrihen përgjatë saj.

 

PAS RIKONSTRUKSIONIT, CILËSI E RE SHËRBIMESH NË QENDRËN E TË MOSHUARVE

Qendra Ditore Polivalente “Feti Rugji” në Sarandë po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, me koncept të ri ndërtimor. Këtë po e mundëson programi i Bashkëpunimit dhe Zhvilkimit italo-shqiptar, IADSA. Falë punës në kuadër të këtij projekti, do të rriten kapacitetet e akomodimit në këtë Qendër Sociale, ndërkohë që krijohen kushtet për të rritur edhe cilësinë e shërbimit ndaj të moshuarve që marrin trajtim social atje. Investimi që është duke u kryer, e vendos punën në këtë institucion në përputhje me standardet më të mira të shërbimeve shoqërore.