RIVALITET I FORTË NË KAMPIONATIN E SHAHUT MES SHKOLLAVE 9-VJEÇARE

Për tri ditë me radhë, u zhvillua kampionati i shahut mes shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Sarandë.
Pjesëmarrëse ishin 6 çifte shahistësh të rinj, që u vunë përballë njeri-tjetrit dhe dëshmuan për përgatitje serioze.
U pa një rivalitet shumë i fortë dhe rezultate të shtrënguara mes tyre
Në përfundim të kampionatit, vendi i parë u nda mes dy shahistëve të mirënjohur Eklea Omeri e Kelvin Kosta, të dy të barazvlerësuar.
Për pjesëmarrësit u dhanë çertifikata pjesëmarrjeje dhe Medalje e Kupa për më të spikaturit.
Surpriza e kampionatit të sivjetëm të shahut ishte pjesëmarrja edhe e një shahisti 6 vjeçar nga Ukraina, Demion Kandidatoll, rezident në Sarandë.

 

PËRKUJTOHET HEROI VASIL LLAÇI, NË 81-VJETORIN E EKZEKUTIMIT

 

Pranë bustit të Heroit të Popullit Vasil Llaçi, në ditën e 81-vjetorit të ekzekutimit të tij, për shkak të atentatit trimëror, u organizua përkujtimi dhe nderimi i tij.
Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, dega e Sarandës, pati gjithë mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe Kryetarit Adrian Gurma, për t’i dhënë gjithë rëndësinë kësaj ceremonie nderuese për Atentatorin 19-vjeçar Vasil Llaçi, kryer në
Majin e vitit 1941, ndaj Viktor Emanuelit III dhe Shefqet Bej Vërlacit. Kryeministrit të Shqipërisë, pas pushtimit prej Italisë.
Pas ekzekutimit të Hymnit të Flamurit, pranë bustit të Vasil Llaçit u vendosën kurora në emër të Kryetarit të Bashkisë, të Organizatës Kombëtare e asaj lokale të Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës e të pasardhësve të tyre, nga Nënprektura Sarandë etj. Familjarë e pasardhës të Tre Heronjve: Vasil Llaçit, Mitro Xhanit e Lefter Talos, të pranishëm në ceremoni, vendosën tufa me lule në të tre bustet.
Përshëndetën Ali Myrtaj e Neriman Gjivogli, përkatësisht kryetarë të organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut e Komitetit të Veteranëve të LANÇ e pasardhësve të tyre, Nënprefekti i Sarandës, Mirosh Birjani etj. Për jetën dhe aktin trimëror të Vasil Llaçit foli sekretari i përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, Dalan Buxheli. Folën edhe mbesa e Heroit, Violeta Koçiu e nipi Edmond Llaçi, si dhe autori i bustit të Vasil Llaçit, skulptori i mirënjohur Niko Godroli etj.
Organizimin e kësaj ceremonie përkujtimore dhe nderuese për Heroin e Popullit Vasil Llaçi, e përshëndeti edhe kryetari i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Atdhueut, Dr. Gjergji Velo, i cili është shprehur mirënjohës ndaj Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma, që dha gjithë mbështetjen që bustet e Tre Heronjve
të Sarandës, të ngrihen buzë detit, në një prej hapësirave më publike të shetitores së re.
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë edhe Eleron Gjoni, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Sarandës.

 

USHTRIA, BASHKË PËR KSAMIL TË PASTËR

Nisma për mjedis të pastër mbetet prioritet. Ca më tepër, kur stina turistike sapo ka nisur dhe është e tëra përpara. Vatrat e ngarkuara me mbetje urbane, nuk janë eliminuar të tëra në Ksamil. Kjo ka kërkuar edhe angazhimin e mjeteve dhe efektivëve të Forcave të Armatosura. Forca të Bashkisë dhe ato të Ushtrisë, në bashkërendim mes tyre, ndërhynë në disa vatra të nxehta mbetjesh urbane në Ksamil këto ditë. Kjo punë, e kryer me organizim dhe rezultate konkrete, vjen edhe si tërheqje vëmendjeje dhe si paralajmërim për këdo që ndot ambientin, se nuk të vazhdohet me “ti ndot e unë pastroj”, por do të ketë penalitete! Kur thuhet se Ksamili është i të gjithëve, kjo lidhet edhe me detyrimin për t’u mbajtur pastër nga të gjithë.

KRYEBASHKIAKU GURMA: VIZITË MIQËSORE TE FËMIJËT E “VANGJEL PULLA”

Disa orë të mesditës së djeshme Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, ka zgjedhur t’i ndajë me miqtë e tij, banorë të Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla”. Ai u takua e u përshëndet me ta dhe me stafin që përkujdeset për ta, duke i pyetur për mësimet dhe si e kalojnë kohën e lirë, teksa i gjeti duke luajtur në mjedisin e hijezuar nga pemët në oborrin e pasëm të institucionit. Atje i treguan se si pjesë e kujdesit të tyre janë edhe disa breshka, që janë habitat i kopshtit të tyre natyral. Në tavolinat e vendosura në atë mjedis, banorët e vegjël të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” shijuan picat e përgatitura enkas për ta. Kryebashkiaku u tha fëmijëve se pret propozimin e tyre se ku dëshirojnë ta bëjnë udhëtimin e radhës për fundjavën që vjen. Ishin orë të kaluara këndshëm, përmes komunikimit pa zyrtarizëm dhe në frymë shumë miqësore. Kryebashkiaku u shpreh mirënjohës për punën që bën stafi i këtij institucioni, i cili këtë vit është në jubileun e 75-vjetorit të jetës së vet. Edhe përgatitja dinjitoze për festimin e këtij jubileu, ishte pjesë e bisedave që Kreu i Bashkisë Gurma, bëri me stafin e institucionit.