Disa orë të mesditës së djeshme Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, ka zgjedhur t’i ndajë me miqtë e tij, banorë të Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla”. Ai u takua e u përshëndet me ta dhe me stafin që përkujdeset për ta, duke i pyetur për mësimet dhe si e kalojnë kohën e lirë, teksa i gjeti duke luajtur në mjedisin e hijezuar nga pemët në oborrin e pasëm të institucionit. Atje i treguan se si pjesë e kujdesit të tyre janë edhe disa breshka, që janë habitat i kopshtit të tyre natyral. Në tavolinat e vendosura në atë mjedis, banorët e vegjël të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” shijuan picat e përgatitura enkas për ta. Kryebashkiaku u tha fëmijëve se pret propozimin e tyre se ku dëshirojnë ta bëjnë udhëtimin e radhës për fundjavën që vjen. Ishin orë të kaluara këndshëm, përmes komunikimit pa zyrtarizëm dhe në frymë shumë miqësore. Kryebashkiaku u shpreh mirënjohës për punën që bën stafi i këtij institucioni, i cili këtë vit është në jubileun e 75-vjetorit të jetës së vet. Edhe përgatitja dinjitoze për festimin e këtij jubileu, ishte pjesë e bisedave që Kreu i Bashkisë Gurma, bëri me stafin e institucionit.





















