Dopietë e Butrintit, fiton në shtëpi ndaj Tepelenës

Butrinti ka marrë sot një fitore të merituar në javën e tretë të Kategorinë e Dytë,me rezultatin 2-0 në takimin e zhvilluar në stadiumin “Andon Lapa”,me gola të shënuar nga Basha në ‘81 dhe Brahimi në ‘83.
Me këtë fitore Butrinti renditet në vendin e tretë në tabelën e renditjes me 6 pikë,pas Pogradecit e Labërisë që kanë nga 7 pikë.
Javën e ardhshme Butrinti do të ndeshet në transfertë me Luftëtarin e Gjirokastrës,ditën e dielë në datë 23 tetor në orën 14.00.

 

TAKIM ME AMBASADORIN E KATARIT NË TIRANË

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, u prit në selinë e ambasadës së Katarit në Tiranë, SH.T Z. Ali Bin Hamad Al-Marri. Në fokus të bashkëbisedimit mes tyre ishin mundësitë e implementimit të një projekti ambicioz në fushën e kulturës në Sarandë. Ptitet që mbështetja për projektin në këtë fushë, të ndikojë në forcimin edhe më tej të marrëdhënieve tona dhe kjo të shërbejë si nxitje për zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve dypalëshe. Ky takim i Kryebashkiakut Gurma me kryediplomatin e shtetit të Katarit në Shqipëri, vjen pas pritjes shumë miqsore që ai rezervoi në gushtin e vitit 2019 për Shkëlqesinë e Tij, z. Ali Bin Hamad Al-Marri. Po kështu, kreu i Bashkisë Gurma priti vitin e kaluar dy personalitete të mjeksisë nga Katari dhe Egjypti: Prof. Dr. Aksam Yasssin, ministër I Shëndetsisë në shtetin e Katarit dhe Dr. Hala Maswekh, zëvendësministre e Shëndetsisë në Egjypt.

 

14 TETORI, STACION I RËNDËSISHËM NË MUAJIN SIMBOL TË NDËRGJEGJËSIMIT KUNDËR KANCERIT TË GJIRIT

Nga selia e Bashkisë, tek qendra e qytetit, Galeria etj., Saranda është veshur nga postera dhe simbole që ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Tetori Rozë dhe sllogani “Vrapo për Jetën” flasin me çdo kalimtar, me çdo qytetar. Në këtë muaj simbol të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, 14 tetori i sivjetëm përfaqëson një stacion të rëndësishëm të këtij muaji. Bashkia e Sarandës, me kujdesin e posaçëm të Kryetarit Adrian Gurma dhe në bashkëpunim me DSHP Sarandë, organizuan veprimtarinë “Gruaja-gjysma më e mirë e shoqërisë”, me pjesëmarrjen e gjerë të grave e vajzave nga institucionet e qytetit. Ishte i pranishëm edhe deputeti Niko Kuri. Veprimtaria nisi me shfaqjen e videos sensibilizuese, përgatitur nga Bashkia e Sarandës, me personazhe realë e mesazhe të dobishme për këdo. Drejtori i DSHP Sarandë, Arsen Dule, bëri një panoramë të rritjes së punës ndërgjegjësuese dhe efektin e saj, të shprehur në tregues konkretë. Safie Myrtaj, Liljana Kullai e Venera Guri krijuan emocione të forta me rrëfimin e historive personale të luftës dhe me mesazhet që burojnë nga sfida e fituar pas diagnostikimit. Adrian Gurma ka folur në cilësinë e qytetarit të parë. Duke e zëvendësuar këtë “xhaketë” me bluzën e bardhë të mjekut të specializuar në këtë fushë, ai solli informacion dhe argumenta shkencorë, që burojnë nga eksperienca e tij e gjatë e luftës kundër kancerit të gjirit. Ai u shpreh me emocion për shprehjen e mirënjohjes që mori nga gra të pranishme në veprimtari, të cilat e quajtën veten me fat që janë ekzaminuar dhe ndjekur nga Dr. Gurma prej vitesh. Pas kësaj fjala ishte e artit dhe artistëve. Të pranishmit vizituan ekspozitën e artit pamor, në sallat e Galerisë “Art-Saranda”, me punë në pikturë e skulpturë, fokusi dhe frymëzimi i të cilave ishte Gruaja. Skulptori i mirënjohur Niko Godroli tregoi si e krijoi skulpturën e vet, pjesë të kësaj ekspozite, frymëzuar nga femra, si simbol i vazhdimësisë së jetës dhe vitalitetit.

KRYEBASHKIAKU GURMA KONTAKTON BANORËT E METOQIT

 Ndalesa e radhës e Kryebashkiakut të Sarandës Adrian Gurma, në kontaktet dhe komunikimin e tij të vazhdueshëm me komunitetet, ka qenë në fshatin e Metoqit. Ai është takuar atje me mjaft banorë, të cilët i adresuan problematika që i shqetësojnë. Mjaft prej tyre kanë qenë të lidhura me cilësinë e shërbimeve që ofron Bashkia. Gjithashtu, kreu i Bashkisë Gurma, ka inspektuar edhe punimet që janë duke u kryer për rikonstruksionin e Urës së Metoqit, në shërbim të këtyre banorëve e sidomos të fermerëve të zonës.