TAKIM ME KRYEBASHKIAKUN PËR ADMINISTRIM CILËSOR TË FONDIT PYJOR

Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma priti Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Artur Kala dhe një ekip specialistësh. Fokusi i bisedës mes tyre ishte promovimi i resurseve turistike pyjore të Sarandës. Në sfondin e ndryshimeve klimatike në florën dhe faunën në territorin e Bashkisë së Sarandës, u trajtuan problematika që lidhen me pronësinë dhe rregjistrimin e fondit pyjor. U kërkua zhvilimi i Planeve të Mbarështimit, si një dokument bazë për planifikimin dhe administrimin e fondit pyjor, si dhe ngritja e strukturave Menaxhuese dhe Kontrolluese. Në përfundim të takimit u adresuan një sërë çështjesh dhe problematikash që do ndiqen dhe përmiresojnë cilësinë e administrimit të fondit pyjor në Sarandë, duke forcuar edhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

 

MISIONI I UNESCO-s PËR VERIFIKIMIN E REKOMANDIMEVE PËR BUTRINTIN

Një mision i UNESCO-s ks organizuar takime të rëndësishme si pjesë e një procesi verifikimi të rekomandimeve të dhëna dhe për të sjellë përmirësime në bashkëpunimin me qeverisjet vendore dhe komunitetet e përfshira në territorin e Parkut të Butrintit. Një prej ndalesave të grupit të ekspertëve të UNESCO-s, shoqëruar nga pprfaqësues të Ministrisë shqiptare të Kulturës, ishte edhe ai në Bashkinë e Sarandës. Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, ai i Finiqit, Kristo Kiço dhe kreu i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri, u shprehën se janë të fokusuar dhe të unifikuar në ruajtjen e vlerave unikale të trashëgimisë, që përfaqëson Butrinti. Mes tyre dhe përfaqësuesve të misionit të UNESCO-s u diskutua për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit për ruajtjen e vlerave të siteve të trashëgimisë kulturore, por edhe për ekuilibrimin e numrit të vizitorëve, për monitorimin e zhvilimeve infrastrukturore. Me theks të veçantë u fol për një status special të banorëve brenda Parkut, që ata të ndjehen të favorizuar dhe përfitues në pikëpamje ekonomike, përderisa ata privohen nga ndërtimi si në zona të tjera dhe se realisht janë mbrojtës të kësaj pasurie botërore.

 

TURISTË TË HUAJ NË VJESHTËN TURISTIKE TË SARANDËS

Sezoni turistik i Sarandës përtej stinës së verës, po spikat si një ndër veçoritë e këtij viti turistik. Turistët e vjeshtës, kryesisht të huaj nga vende të ndryshme të botës, vazhdojnë të jenë prezentë në Sarandë. Ata janë frekuentues “rezistentë” të plazheve të Sarandës dhe Ksamilit, si dhe vizitorë të pikave të shumta të atraksionit turistik, nga Butrinti, në Sarandë, në Syrin e Kaltër etj.

 

TOPA FUTBOLLI DHURATË PËR FËMIJËT

Fëmijëve të Qendrës Multifunksionale për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Fuqizimin e Familjes, iu bë një surprizë e këndshme. Pasionit të tyre për sportin e futbollit iu vu në mbështetje një dhuratë në topa futbolli. Ka qenë “UEFA FOUNDATION FOR CHILDREN” dhe partnerët e saj, në bashkëpunim me “Save the Children” dhuruan topa futbolli, me të cilët fëmijët e u argëtua në një lojë futbolli në stadiumin e qytetit.