PROJEKTOHET SUKSESI I SEZONIT TURISTIK 2023

Dëgjesa ndoshta më e rëndësishme është konsideruar ajo që Bashkia e Sarandës organizoi me protagonistë të sezonit turistik në Sarandë e Ksamil: hotelierë, operatorë, udhërrëfyes etj. Ishte një vështrim mbi pikat e forta të sezonit turistik 2022 dhe reflektim mbi problematikat e hasura e sfidat që qëndrojnë përpara për 2023, nën moton “Suksesi i sezonit të ri turistik nis sot”. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma u ndal në disa prej veçorive të vitit 2022, si: qasja e re për pastrimin, të cilësuar alfa dhe omega e sezonit, standarti i ri shërbimeve që u ofruan, infrastruktura e përmirësuar në funksion të turizmit, bërja e turizmit të integruar me fqinjët. Orientimin e qartë drejt tregut perëndimor të turizmit të Sarandës këtë verë, deputetja e zonës Anila Denaj e quajti si një arritje të rëndësishme, të lexueshme në gjuhët e huaja që u dëgjuan në shetitore e kudo. Ndërkaq, ajo i bëri apel bizneseve të pranishme për t’i bërë akses shkollës profesionale të turizmit, si një sfidë e të nesërmes, që është nesër. Për Sarandën deputeti Blendi Klosi tha se është perla e Mesdheut e në këtë kontekst ai ka përligjur që biznesmenët e operatorët e këtij qyteti janë kërkues ndaj vetes dhe ndaj mënyrës si qeveriset, nga qendra në bazë. “Jeni ju që e kërkoni si nevojë edhe aeroportin e Sarandës, por në një kuptim jeni po ju që e bëni atë, pasi pa hotelet tuaja, ai nuk do të duhej”, u tha biznesmenëve sarandiotë zoti Klosi. Ndërkohë, ai ka kërkuar të bëhet kujdes me ndotjen muzikore, pasi muzikë nate pa limit nuk gjen as në Mikono në Greqi apo kudo në Itali. Bashkisç dhe Këshillit Bashkiak, tha ai, i mbetet të përcaktojë zona muzike 24 orë. Duke folur për portin e jahteve dhe çdo investim që do buxhetohet për 2023, zoti Klosi kërkoi mbështetjen e Bashkisë nga biznesi. Biznesmenët e pranishëm, që e morën fjalën në takim, shfaqën mendime të dobishme për sezonin 2023 dhe të vlefshme për projektbuxhetin që është duke u hartuar. Ndër to, më të rëndësishme ishte rritja e rolit të agjencive turistike në fuksionimin e hotelerisë, si çelës edhe për një sezon të zgjatur, mënjanimi i përsëtitjes së skanimit në aeroporte e portet shqiptare. Po kështu, ata u ndalën në nevojën për të kuruar qytetin deri te trotuaret e rrugë sekondare e sidomos për të menduar zgjidhje që zbusin krizën e parkimit apo fluksin e trafikut. U kërkua gjithashtu një mbështetetje më e mirë për biznesin e turizmit detar. Nga vetë operatorët u kërkua që të distancohen nga rastet e çmimeve abuzive në shërbimin taksi, apo në hoteleri e në plazhe. U konsiderua nevojë e zhvillimit që të prodhohen e ofrohen harta turistike të përditësuara për Sarandën e Ksamilin dhe të futet si risi edhe në Sarandë qarkullimi i autobusit të kuq turistik, të munguar e të kërkuar nga turistët e huaj. Nisur nga pjesëmarrja e gjerë në takimin me përfaqësues të bizneseve, që operojnë në fushën e turizmit në Sarandë e Ksamil, si dhe nga përsfshirja në diskutimin e problematikave që kërkojnë zgjidhje, mund të thuhet me bindje se u hodhën piketat e një sezoni të sukseshëm në vijim, pasi sugjerimet e opinionet u mbajtën shënim për t’u mbajtur në konsideratë e reflektuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

 

ITINERAR VULLNETARËSH NGA BOTA, DREJT SARANDËS

Grupe të tëra vullnetarësh nga disa vende të botës, kanë “zbuluar” Sarandës, me misionin për t’i dhënë jetës variacion dhe dimension. Ata që dhuruan argëtim pa fund, ishin vullnetarë të ardhur nga USA, Suedia, Austria, Sllovakia dhe nga disa rajone të Italisë, si: Liguria, Abruzzo, Kalabria dhe Puglia. Udhëtuan drejt brigjeve të Sarandës me varka me vela, duke performuar muzikën si terapi. E spikatur sidomos muzika e luajtur prej tyre në instrumente të traditës arbëreshe. Nuk munguan gjithashtu performancat me klloun terapi, që ata dhuruan për fëmijët e Qendrës për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Forcimin e Familjes, që funksionon si institucion social në varësi të Bashkidë, në qytetin e Sarandës.

 

KSAMILI TURISTIK: MODEL SIGURIE DHE PA NDOTJE AKUSTIKE

Nuk është e rastit që analiza e sezonit turistik 2022, nis nga Ksamili. Ksamili, tha në nisje të fjalës së vet Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, është tashmë pika më e dashur për turistët. E nga kjo kanë marrë lehtësira dhe efekte pozitive të gjithë banorët e këtij qyteti të ri. Ndërkaq, ai është ndalur në punët e kryera e ato që duhen programuar për t’u bërë gjatë vitit 2023. Theksi i parë është vënë në kërkesën për territor të pastër, pa të cilin nuk kuptohet dot turizmi. Prandaj është kërkuar që secili të vendosë “tullën” e vet për pastrimin. Fluksi i shtuar turistik është parë si problematika më shumë, që kanë nevojë për zgjidhje me përgjegjësi të shtuar. Ksamiliotëve Gurma u tha se në takim me Kryeministrin Rama tha se si problem të parë ka renditur urbanizimin e Ksamilit, pasi kjo gjë ka nevojë për mbështetjen nga qeveria qendrore. “Ka nisur projekti për furnizimin me ujë e kanalizimet dhe të tjera investime të mëdha e të vogla e presin Ksamilin, por rruga e gjatë nis me një hap”, u shpreh kreu i Bashkisë Adrian Gurma. Ai tha se edhe për legalizimin e plazheve është punuar mirë nga kjo administratë, ndërkohë që synohet të jenë publike 33% e tyre. Për çështjen e zhurmave dhe të sigurisë, Ksamili u tha se përbën një model edhe për Sarandën dhe se bizneset janë bashkëpunuese. Ata që e morën fjalën në takim vlerësuan ndryshimet për mirë që janë realizuar, por vunë në dukje edhe problematika. Prej tyre u kërkua të investohet për një shetitore, për ndriçim më cilësor publik, për të kthyer vështrimin nga rrugicat, për të ofruar ramba për hyrje-daljen e mjeteve lundruese në det, për stacione plazhi dhe stacione ankorimi, për vënie dorë në rehabilitimin e rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm. Nevoja për stafe të përgatitur për turizëm, ka bërë pjesë të bisedës edhe ndjekjen e shkollës profesionale nga të rinj të Ksamilit. Edhe një herë u përsërit se investimet që do të planifikohen do të jenë rrugë me standarte e të kompletuara me gjithë elementet.

 

LYERJA E FASADAVE NIS NGA RRUGA MBI PORT

Ajo që është përsëritur në disa takime si kërkesë e sugjerim për ndryshimin e imazhit fizik të Sarandës, ka filluar të ndodhë. Lyrja e fasadave të ndërtesave ka nisur nga rruga “Mitat Hoxha”, mbi portin turistik të Sarandës, e konsideruar si një prej pamjeve prezantuese të qytetit të turizmit, për këdo që vjen me rrugë detare. Investimi për lyerjen e fasdave të pallateve ishte mbajtur shënim dhe u vu në listën e punëve prioritare. Ndërhyrja për fasadat ka nisur nga lagja Nr.4 e qytetit të Sarandës, me dëshirën që të ndryshojë krejtësisht pamja e kësaj lagjeje, e cila është dhe hyrja kryesore për në Sarandë nga porti i qytetit. Kjo pikë e rëndësishme e prezantimit të Sarandës para pushuesve vendas dhe të huaj, në verën e ardhshme do të ketë një pamje më harmonike e të pëlqyeshme. Pas lsgjes Nr.4, projekti për lyerjen e fasdave do të shtrihet në vijim edhe në zona e lagje të tjera të qytetit të Sarandës.