SHOQËROHET ME AKTIVITET DITA BOTËRORE E TË DREJTAVE TË FËMIJËVE

Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve, është shoqëruar me aktivitet nga vetë fëmijët. Protagoniastë ishin fëmijë që frekuentojnë institucionin e Qendrës për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Forcimin e Familjes, në qytetin e Sarandës. Mbështetëse e aktivitetit u bë Njësia e Integrimit Europian, pranë Bashkisë Sarandë.
Fëmijët pjesëmarrës në veprimtari dhanë mesazhe mbi këtë ditë, ndërkohë që ndërgjegjësuan vetveten dhe të tjerët, përmes prezantimit të krijimeve me tematikë të drejtat e fëmijëve.

KRYEBASHKIAKU: TAKIM ME GJIMNAZISTË E MËSUES TË TYRE

Larg çdo zyrtarizmi dhe jashtë mjediseve të shkollës, është zhvilluar një bashkëbisedim i lirë për arsimin. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ka realizuar takim me gjimnazistë dhe me arsimtarë. Rreth një tryeze miqsore, është folur pastër për atë që nxënës e mësues mendojnë se ka nevojë mësimdhënia. Biseda e bërë solli mjaft mendime të vlefshme e të dobishme për të nxitur inovacionin dhe përgatitur Sarandën e së ardhmes.
Kryebashkiaku Gurma shoqërohej në këtë takim, nga drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Eri Sulo.

DËGJOHEN BANORËT E SHELEGARIT PËR PROJEKTBUXHETIN 2023

Një tjetër ndalesë në Shelegar, ku u dëgjuan banorë të këtij fshati për çfarë i shqetëson si komunitet dhe ku mendojnë të ndërhyjë Bashkia me investime gjatë vitit 2023. Kryebashkiaku Adrian Gurma u rikujtoi atyre disa nga punët e kryera gjatë këtij viti, si: në rrugët e brendshme, në përmirësimin e ndriçimit publik, për kanalet ujitës të tokave bujqësore, kalimin e gjithë aplikimeve për pronësinë mbi tokën etj. Ai nënvizoi se investime edhe më të rëndësishme janë në projektin e buxhetit për vitin që vjen në Shelegar, duke veçuar se për ndriçimin do të destinohen 5 milionë lekë të reja, nga 16 milionë që janë për gjithë Bashkinë. Banorët që morën fjalën në takim, duke nisur nga kryetari i fshatit Ilmi Beduli, vlerësuan mbështetjen në rritje për fshatin nga ana e Bashkisë. Ndërkohë, banorët kërkuan që buxheti i ri të mbështesë me financim bërjen e rrugëve që mbeten problematike, zëvendësimin e shtyllave 50-vjeçare të ndriçimit, zgjidhje për një korsi shtesë në rrugën e hyrjes në fshat, deri tani burim aksidentesh, planifikimin e studimit urbanistik për zgjerimin e kufijve të fshatit dhe shtimin e sipërfaqes së varrezave. Për furnizimin me ujë të pijshëm, Shelegari është përfitues nga investimi që është në përfundim për sjelljen e ujit nga burimet e Bistricës.

 

BASHKIA: INSPEKTIM INVESTIMESH NË BERDENESH

Fshati Berdenesh nuk është lënë i papërfshirë nga investimet publike të Bashkisë së Sarandës. Këto ditë, investime që gjenden në proces, janë inspektuar nga Kryetari Adrian Gurma, i shoqëruar nga drejtues e specialistë të disa sektorëve në Bashki. Shkuarja për të inspektuar ecurinë e punës për këto investime, ka shërbyer edhe për të komunikuar me banorë, për të marrë shqetësime e problematika të përditshmërisë së tyre. Nga dëgjimi i tyre, janë diskutuar dhe janë adresuar zgjidhjet e duhura, në afat sa më të shpejtë.