MBILLEN 250 FIDANË PISHË DETI NË DITËN E 100-VJRTORIT TË SHËRBIMIT PYJOR

Me dedikim 27 Janarin, Ditën e 100-vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, Bashkia Sarandë organizoi mbjelljen e 250 fidanëve pishë deti, në një parcelë në fshatin Berdenesh, në periferinë e afërt. Në këtë aktivitet, me ndikim të drejtpërdrejtë në krijim të mjedisit miqsor e të shëndetshëm, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma. Mbjellja e fidançve të rinj u krye nga nxënës të shkollës 9-vjeçare të Çukës, nga punëtorë të përfshirë në projektin gjerman GIZ, si dhe përfaqësues të shoqatave pro-mjedis, punonjës të stacionit zjarrfikës etj. U dha mesazhi se, duke mbjellë sot një fidan, e bëjmë jetën më të gjelbër, për të sotmen dhe për brezat që vijnë.

 

AKTIVITETE GJITHËPËRFSHIRËSE NË DITËN BOTËRORE TË EDUKIMIT

24 janari 2023, e shënjuar si Dita Botërore e Edukimit, u përcoll me një varg aktivitetesh, organizuar nga Bashkia Sarandë dhe mbështetur nga Zyra Arsimore Vendore, në shërbim të edukimit përmes leximit. Këtë mesazh e dhanë më së pari fëmijët që marrin trajtim dhe përkujdesje në Qendrën për Zhvillim, të cilët ishin të mikpritur në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma. Pastaj, bashkë me ta u dhuruan libra për Shtëpizën e Librit, përpara Bashkisë, ku prisnin dhjetëra e dhjetëra nxënës nga shkollat e qytetit të Sarandës, mësues të tyre, si dhe të moshuar nga Qendra Polivalente, që bënë të njëjtën gjë. Dhjetëra të tjerë librat e tyre i vendosën në raftet e Shtëpizës në Shetitoren e Sarandës. Pastaj, të gjithë së bashku, në mjediset e Bibliotekës së Qytetit “B.Xhaferi”, ndoqën aktivitetin “Edukojmë përmes fabulës”. Ndërkohë, nxënës e mësues nga shkolla e Ksamilit, bënë plotësimin e rafteve të Shtëpisë së Librit, të vendosur pranë njësisë së shërbimit postar. Mesazhi se libri mbetet miku më i mirë i të gjithëve, kudo që të ndodhemi dhe i të gjitha kohërave, kaloi si një apel për dashuruar librin dhe leximin. Nxënës shkollash dhe aktorë të Qendrës Kulturore, interpretuan fabula nga autorët vendorë Vasil Gjivogli e Iliaz Bobaj e të tjerë fabulistë të njohur në shkallë vendi.

 

NJOFTIM

Më 24 janar, në Ditën e Edukimit, Bashkia Sarandë, në bashkëpunim me ZVA, në orën 10:30 organizon dhurim librash për Shtëpizat e Librit para Bashkisë, në Shetitore dhe në Ksamil.
Në orën 11:00, në po këtë kuadër, në mjediset e Bibliotekës “Bilal Xhaferi”, organizohet aktiviteti “Edukojmë përmes fabulës”. Aktorë të Qendrës Kulturore dhe nxënës-aktorë do të interpretojnë fabula nga krijimtaria e fabulistëve vendorë Vasil Gjivogli e Iljaz Bobaj.

 

ME MOTON “PROMOVO TURIZMIN, MBRO MJEDISIN”, U BË PASTRIMI RRETH KALASË SË LËKURËSIT

Nisma për qytet të pastër përfshin dhe bën gati për sezoni veror, destinacionet turistike. Përveçse një fushatë pastrimi, kjo është edhe një fushatë sensibilizimi e ndërgjegjësimi për të mos ndotur ambientin dhe për ta mbajtur pastër atë. Këtë shembull pune e dhs Drejtoria e Turizmit, Drejtoria e Sherbimeve Publike dhe ajo e Bujqësisë dhe Pyjeve, të Bashkisë Sarandë, të cilat ishin së bashku në pastrimin e zonës pranë kalasë së Lëkurësit. Kjo nismë u realizua edhe me mbeshtetjen e GIZ, në kuadër të projektit për punë publike. Me moton “Promovo turizmin, mbro mjedisin”, do të vijohet edhe në pika të tjera të interesit turistik.