TRYEZË PËR BRANDIN DHE INFRASTRUKTURËN E MARKETINGUT TË DESTINACIONIT TURISTIK SARANDA

Ndërkohë që sinjalet e para të sezonit turistik “Verë 2023” janë dhënë, aktorë të rëndësishëm të turizmit janë takuar në një tryezë prezantimi dhe diskutimi. Në fokus ishte brandi dhe infrastruktura e marketingut me të cilën duhet të kompletohet destinacioni turistik Saranda, përfshirë Ksamilin. Gjithçka u organizua si një konkretizim më shumë i partneritetit mes Bashkisë së Sarandës, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bankës Botërore dhe Iceberg, në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”. Pas prezantimit të iniciativës së krijimit të partneriteteve për menaxhimin e destinacionit turistik Saranda, nga konsulentja e FSHZH A. Sejko, të pranishmit ndoqën me interes eksperten e Turizmit N.Popa, e cila solli argumenta mbi përfitimet e krijimit të Brandit të ri Turistik i qytetit të Sarandës. E.Mato, në cilësinë e drejtores së Drejtorisë së Turizmit në Bashki, shpjegoi se Brandi i ri dhe sllogani i saj “Live and Love” (Jeto dhe Dashuro), përfaqëson jo thjesht një zgjidhje grafike, por një imazh që jep ndjesi dhe identitet për Sarandën, shoqëruar me brendi. Paraqitja grafike e brandimit, u pëlqye nga të pranishmit për simbolikën e gjetur dhe imazhin domethënës. Operatorët e pranishëm dhe gjithë të tjerët, u ftuan për t’u bërë pjesë e promovimit të bizneseve të tyre, me foto, video e përshkrim, përmes aksesit në websitin, që projekti e ofron falas.

 

KRUAZIERA E PARË ME TURISTË AMERIKANË, PREK SARANDËN

21 marsi, dita e njohur për ekuinoksin pranveror, erdhi edhe me një të veçantë tjetër për Sarandën. Në portin turistik është ankoruar kruaziera “Arethusa”, me flamur maltez. Me 49 turistët ditorë amerikanë, që solli në Sarandë, u dha sinjali i çeljes së sezonit të turuzmit të kruazierave për vitin 2023. Kjo prekje e parë e kalatës së portit për këtë vit, paçka se në një ditë jodiellore, shërben si ogur i mirë për të patur sezon të mbarë në rrugë detare, me kruaziera, jahte e veliera. Kalendari i ardhjes së tyre këtë sezon shtrihet përtej nëntorit 2023, bazuar në kontratat e lidhura me agjencitë tona turistike.

 

MBYLLET KONKURSI “ARTISTI I VOGËL”, ÇELET EKSPOZITA E PËRBASHKËT, NDAHEN ÇMIMET PËR FITUESIT

6 marsi, në prag të 7 e 8 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe të Gruas, shënoi mbylljen e Konkursit “Artisti i Vogël”, i shpallur nga Bashkia e Sarandës gjatë muajit shkurt për punët në pikturë mes shkollave 9-vjeçare. Në të morën pjesë mbi 170 nxnës të ciklit të ulët e të lartë të shkollave 9-vjeçare dhe fëmijë të institucioneve sociale të Bashkisë. Çdo vizatim dhe pikturë e realizuar në këtë kuadër, u bë pjesë e ekspozitës së përbashkët, të çelur në Galerinë “Art-Saranda”, Në përurimin e saj, me prani të nxënësve autorë e bashkëmoshatarëve të tyre, të mësuesve dhe prindërve, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Në përshëndetjen e vet me këtë rast, ai nënvizoi se e gjithë puna e mirëorganizuar që u bë, në më shumë se një muaj kohë dhe vetë ekspozita me punët e ekspozuara, përmbushjn qëllimin tonë të përbashkët, që është zbulimi, promovimi dhe nxitja e fëmijëve me prirje në artet pamore. Ai u shpreh falenderues për secilin prej pjesëmarrësve në Konkurs, si dhe Zyrën Arsimore Vendore për bashkëpunimin e sidomos mësuesit e angazhuar për Konkursin në shkolla, si në qytet edhe në fshatrat pjesë e territorit administrativ të Bashkisë së Sarandës. Kryebashkiaku Gurma tha se, pavarësisht çmimeve të vendosura nga Juria e Konkursit, apo nga pëlqimet e publikut, të gjithë fëmijët janë fitues, duke qenë pjeësmarrës dhe se përfitues nga këto vlera është i gjithë komuniteti. Përgjegjësi i Galerisë “Art-Saranda”, Leftër Çeko tregoi për risitë e Konkursit “Artisti i Vogël” 2023, ku më kryesorja është trefishimi i numrit të autorëve të përfshirë. E veçanta e ekspozitës, sipas tij, është se ajo sjell frymëzimet e shkollarëve për Ditën e Mësuesit e të Nënës dhe përjetimet e sinqerta fëminore për natyrën, shoqërinë etj. 21 Çmime të Jurisë dhe të Publikut shkuan për punët më të mira në kategorinë për ciklin e ulët e të lartë të shkollave 9-vjeçare dhe për nxënës me aftësi ndryshe, nga insitucionet sociale të Bashkisë së Sarandës. Me çmim special u nderua nxënësi ukrainas, i cili ndjek programin mësimor në klasën e parë të shkollës 9-vjeçare “Adem Sheme”. Çdo çmim u shoqërua me dhuratë, në mjete pune, për mundësuar zhvillimin e talentin në fushën e pikturës. Për mësuesit e angazhuar në organizimin e Konkursit “Artisti i Vogël”, u dhanë Çertifikata Mirënjohjeje nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.

 

URIME, LULE DHE SENSIBILIZIM PËR 8 MARSIN

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ka nisur me urimet e Kryetarit të Bashkisë Adrian Gurma dhe me një trëndafil të dhuruar në emër të tij, për zonjat e zonjushat e administratës së Bashkisë dhe për ato që shërbejnë në institucionet e varësisë. Dhurimi i një luleje, u zhvendos pastaj në qendrën e qytetit të Sarandës, Në sheshin “Nënë Tereza” ishte vendosur baneri me logon e Bashkisë dhe me imazhin e Ditës së 8 Marsit, u dhanë mesazhe nderimi për personalitetin e Gruas. Për çdo kalimtare të rastit, dhurimi i një luleje me logon e Bashkisë Sarandë, ishte domethënëse për respektin ndaj çdo vajze dhe gruaje. Pjesë e aktiviteteve ndërgjegjësuese për rritjen e roliit e zonjushave, zonjave dhe Grave në shoqëri dhe respektimin e të drejtave të saj, si dhe kundër dhunës me bazë gjinore, ishte edhe shpërndarja e fletëpalosjeve dhe botimeve të tjera të posaçme me këto mesazhe, nga ana e punonjëseve të Drejtorisë së Politikave Sociale dhe Ndihmës Ekonomike në Bashki, në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Gruas “Jona”.