6 marsi, në prag të 7 e 8 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe të Gruas, shënoi mbylljen e Konkursit “Artisti i Vogël”, i shpallur nga Bashkia e Sarandës gjatë muajit shkurt për punët në pikturë mes shkollave 9-vjeçare. Në të morën pjesë mbi 170 nxnës të ciklit të ulët e të lartë të shkollave 9-vjeçare dhe fëmijë të institucioneve sociale të Bashkisë. Çdo vizatim dhe pikturë e realizuar në këtë kuadër, u bë pjesë e ekspozitës së përbashkët, të çelur në Galerinë “Art-Saranda”, Në përurimin e saj, me prani të nxënësve autorë e bashkëmoshatarëve të tyre, të mësuesve dhe prindërve, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Në përshëndetjen e vet me këtë rast, ai nënvizoi se e gjithë puna e mirëorganizuar që u bë, në më shumë se një muaj kohë dhe vetë ekspozita me punët e ekspozuara, përmbushjn qëllimin tonë të përbashkët, që është zbulimi, promovimi dhe nxitja e fëmijëve me prirje në artet pamore. Ai u shpreh falenderues për secilin prej pjesëmarrësve në Konkurs, si dhe Zyrën Arsimore Vendore për bashkëpunimin e sidomos mësuesit e angazhuar për Konkursin në shkolla, si në qytet edhe në fshatrat pjesë e territorit administrativ të Bashkisë së Sarandës. Kryebashkiaku Gurma tha se, pavarësisht çmimeve të vendosura nga Juria e Konkursit, apo nga pëlqimet e publikut, të gjithë fëmijët janë fitues, duke qenë pjeësmarrës dhe se përfitues nga këto vlera është i gjithë komuniteti. Përgjegjësi i Galerisë “Art-Saranda”, Leftër Çeko tregoi për risitë e Konkursit “Artisti i Vogël” 2023, ku më kryesorja është trefishimi i numrit të autorëve të përfshirë. E veçanta e ekspozitës, sipas tij, është se ajo sjell frymëzimet e shkollarëve për Ditën e Mësuesit e të Nënës dhe përjetimet e sinqerta fëminore për natyrën, shoqërinë etj. 21 Çmime të Jurisë dhe të Publikut shkuan për punët më të mira në kategorinë për ciklin e ulët e të lartë të shkollave 9-vjeçare dhe për nxënës me aftësi ndryshe, nga insitucionet sociale të Bashkisë së Sarandës. Me çmim special u nderua nxënësi ukrainas, i cili ndjek programin mësimor në klasën e parë të shkollës 9-vjeçare “Adem Sheme”. Çdo çmim u shoqërua me dhuratë, në mjete pune, për mundësuar zhvillimin e talentin në fushën e pikturës. Për mësuesit e angazhuar në organizimin e Konkursit “Artisti i Vogël”, u dhanë Çertifikata Mirënjohjeje nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.