“Butrinti” nuk ndalet, mposht Devollin dhe shkëputet i vetëm në krye

“Butrinti” është skuadra më e mirë e momentit në Kategorinë e Dytë. Kjo gjë u vërtetua dhe në takimin e sotëm, përballë skuadrës rivale, Devollit. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Andon Lapa” u mbyll me fitoren 2-1, për ekipin e “Butrinti”-t, që shfaqi dhe njëherë formën fantastike, që po tregon në këtë sezon të ri. Një gol i shënuar nga ana e A. Kolonja dhe një tjetër nga Xh. Mirani, i dhanë tri pikët e arta skuadrës, që tashmë eshtë shkëputur në krye të renditjes. Pas këtij suksesi fantastik, “Butrinti” mban vendin e parë, me 16 pikë të grumbulluara, duke lënë pas Devollin me 3 pikë.

Në përvjetorin e Shërbimit Zjarrfikës

Në përvjetorin e Shërbimit Zjarrfikës, Kryetari i Bashkisë z.Adrian Gurma, takoi dhe bisedoi me efektivët e këtij shërbimi në Sarandë. Kryebashkiaku Gurma falenderoi për angazhimin dhe gatishmërinë e lartë në përmbushjen e misionit të tyre fisnik, duke i siguruar, në të njëjtën kohë, që nuk do t’u mungojë asnjëherë mbështetja jonë në infrastukturë, pajisje dhe mjete më të mira, për të qenë më të përgatitur, në përballimin me sukses të të gjitha situatave.

BËHET NDEZJA SIMBOLIKE E DRITAVE TË PEMËS

Përgatitja e Sarandës për festat e fundvitit, ka ardhur mbrëmjen e 10 dhjetorit në një moment të rëndësishëm e të gëzueshëm. Pemës së këtyre festave, slitës me drerë dhe Shtëpisë simbolike të Babagjyshit, i erdhi dita dhe ora për ndezjen simbolike të dritave shumëngjyrëshe.
Protagonistë të ndezjes së tyre në këtë fundviti, me kushte të pazakonshme, u bënë dhjetë fëmijë, banorë të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë.
Pulti i ndezjes së dritave në duart e tyre, e bëri dritë sheshin kryesor të qytetit, si të donin të ndiznin drita shprese dhe besimi për të pritur një vit të ri, me më shumë shëndet e normalitet. Ata iu gëzuan të parët Pemës së veshur me drita, simbole festash e dhuratash e po ashtu karrocës rrëshkitëse mbi dëborën imagjinare dhe Shtëpisë ku i priste Babagjyshi i dhuratave. Duke i parë ata fëmijë të gëzonin momentin, beson se festa këtu filloi.
Nën tinguj muzikorë ata lodronin, vallëzonin dhe rrezatonin gëzim.
Gëzimit të tyre iu bashkua një moment edhe qytetari i parë i Sarandës, Adrian Gurma, shoqëruar nga urimi për Krishtlindje të gëzuara dhe një vit të ri të mbarë për Sarandën e sarandiotët.

NDAHEN ÇMIMET E KONKURSIT NË PIKTURË DHE ESE

10 dhjetori ka qenë ditë e veçantë për më të vlerësuarit e pjesëmarrësve në konkursin për pikturë dhe ese, organizuar nga Bashkia e Sarandës.
Me këtë rast, fituesit e këtij konkursi janë pritur nga Kryetari i Bashkisë, z. Adrian Gurma. “Është shumë impresionuese t’ju pres dhe përgëzoj për punët e realizuara- u tha atyre z. Gurma- punë të cilat kanë befasuar edhe specialistët e fushave të artit pamor dhe të fushës së letrave, për mjetet shprehëse që keni përdorur dhe perceptimin artistik të temës nga ana juaj”.
Kryebashkiaku nënvizoi pjesëmarrjen e gjerë në këtë konkurs të 250 nxënësve nga shkollat 9-vjeçare e ato të mesme, nga të cilët u përzgjodhën punimet më të arrira, përmes votimit në internet, nga juria e Bashkisë dhe nga një juri profesionistësh.

Çmimet e dhëna për pikturë, bazuar në vlerësimet e jurisë profesioniste, janë:

VIOLA PAPA – Fituese e çmimit të parë në pikturë për Shkollat e Mesme
ERSIA LOLI – Fituese e çmimit të parë në pikturë për Shkollat 9 – vjeçare

Çmimi i parë për ese, bazuar në vlerësimet e jurisë profesioniste, janë:

LETICIA BËRXHAJ -Fituese e çmimit të parë në ese për Shkollat e Mesme
MARISA ÇUBERI – Fituese e çmimit të parë në ese për Shkollat 9 – vjeçare

Çmimi i parë për pikturë, bazuar në vlerësimet e jurisë së Bashkisë, janë:

LIBIANA HASANI – Fituese e çmimit të parë në pikturë për Shkollat e Mesme
ELISABETA KOLO – Fituese e çmimit të parë në pikturë për Shkollat 9 – vjeçare

Çmimet për ese, bazuar në vlerësimet e jurisë së Bashkisë, janë:

NATASHA KERMEZI – Fituese e çmimit të parë për videon sensibilizuese për Shkollat 9 – vjeçare
DIONA GJONI – Fituese e çmimit të parë në ese për Shkollat 9 – vjeçare

Çmimi i internetit: AMELA LAZAJ
Secilës prej fitueseve, Kryebashkiaku Adrian Gurma u dorëzoi nga një çertifikatë, nga një dhuratë simbolike dhe telajo piktori.
Ai tha se ky konkurs ishte një eksperiencë mjaft e çmuar për çdo pjesëmarrës dhe për çdo fitues, por edhe për institucionin e Bashkisë, që është me detyrimin për të suportuar më shumë talentet e reja, duke i aksesuar ata në kurset, që do të rinisin të funksionojnë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, e cila është duke u rikonstruktuar edhe me këtë koncept.