Përgatitja e Sarandës për festat e fundvitit, ka ardhur mbrëmjen e 10 dhjetorit në një moment të rëndësishëm e të gëzueshëm. Pemës së këtyre festave, slitës me drerë dhe Shtëpisë simbolike të Babagjyshit, i erdhi dita dhe ora për ndezjen simbolike të dritave shumëngjyrëshe.
Protagonistë të ndezjes së tyre në këtë fundviti, me kushte të pazakonshme, u bënë dhjetë fëmijë, banorë të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë.
Pulti i ndezjes së dritave në duart e tyre, e bëri dritë sheshin kryesor të qytetit, si të donin të ndiznin drita shprese dhe besimi për të pritur një vit të ri, me më shumë shëndet e normalitet. Ata iu gëzuan të parët Pemës së veshur me drita, simbole festash e dhuratash e po ashtu karrocës rrëshkitëse mbi dëborën imagjinare dhe Shtëpisë ku i priste Babagjyshi i dhuratave. Duke i parë ata fëmijë të gëzonin momentin, beson se festa këtu filloi.
Nën tinguj muzikorë ata lodronin, vallëzonin dhe rrezatonin gëzim.
Gëzimit të tyre iu bashkua një moment edhe qytetari i parë i Sarandës, Adrian Gurma, shoqëruar nga urimi për Krishtlindje të gëzuara dhe një vit të ri të mbarë për Sarandën e sarandiotët.