ZONAT RURALE PREKEN NGA INVESTIMET PUBLIKE

Gjashta, Lëkurësi, Çuka, për shkak edhe të afërsisë me Sarandën, janë si zgjatim i investimeve që bëhen për turizmin e Sarandës. Njëherësh, ndërhyrjet e Bashkisë me imvestime publike në brendësi të tyre, janë drejtpërdrejt për të lehtësuar dhe për të bërë më të mirë cilësinë e jetës së banorëve në këto zona periferike.
Rrugë të brendshme të shtruara me beton, sistemime të munguara prej vitesh, vendosje kangjellash apo sinjalistika, janë vetëm disa prej kërkesave të kthyera në investime komunitare.
Shkuarja dhe komunikimi i sotëm i Kryebashkiakut Gurma dhe bashkëpunëtorëve të tij të fushës së investimeve, shërbyen për të parë ndikimin në cilësinë e jetës, por edhe për të marrë dijeni për problematika që ende shqetësojnë, disa prej të cilave do të zenë vend në projektet që do të përballojë buxheti i vitit që vjen.
Takimi atje ku njerëzit jetojnë dhe kanë përditshmërinë, e bën më realist perceptimin dhe planifikimin e punëve që na presin.

“Butrinti” vijon me fitoret, mposht në “Andon Lapa” Memaliajn

“Butrinti” ka vijuar performancën mjaft të mirë në këtë start të kampionatit.

Në sfidën e javës së dytë kundër Memaliajt, “Butrinti” arriti të sigurojë një tjetër tripikësh të artë.

Djemtë e drejtuar nga tekniku, Milto Gurma, triumfuan me rezultatin e pastër 2-0, në sfidën që u zhvillua në stadiumin “Andon Lapa”.

Autorët e golave të fitores ishin: A. Kolonja, në minutën e 62-të të takimit dhe Mirani në të 85-ën, duke i dhënë fitoren e dytë radhazi “Butrinti”-t.

“Butrinti”, pas 2 ndeshjeve të para, ka 6 pikë të plota, ndërsa sfidën e radhës do ta luajë në transfertë, kundër Këlcyrës.

PUNËT “E VOGLA” PUBLIKE VLERËSOHEN NGA KOMUNITETI

Punët e ashtuquajtura “të vogla”, por me impakt të madh në komunitet, mbeten në vëmendjen e qeverisjes vendore në Sarandë.
Çdo ndryshim për mirë në shtimin e një trotuari, në mbylljen e një kanali të hapur apo në zëvendësimin e një peme të tharë, pritet mirë nga banorët dhe bizneset.
Ky ishte reagimi që u pa nga afër edhe gjatë inspektimit të kryer ditën e sotme nga Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, së bashku me ministren e Financave Anila Denaj dhe deputetin e zonës Alket Hyseni.
Nga komunikimi me ta, u muarr mbështetja për vendosjen në kalendarin e punëve të tilla e po ashtu erdhën edhe sugjerime të vlefshme e shqetësime që kërkojnë të vihen në rrugën e zgjidhjes, për mbarëvajtjen e veprimtarisë ekonomike të bizneseve të vogla në qytetin e Sarandës.

“Butrinti” U-19 mori sot fitoren e parë

Fitorja u ka buzëqeshur sot edhe futbollistëve të “Butrinti” U-19.
Ka përfunduar me rezultatin 2:1 ndeshja e tyre përballë bashkëmoshatarëve elbasanas.
Golshënuesit tanë janë A. Ibrahimi (23″) dhe M. Malaj (77″).
Bëhet fjalë për dy gola që konvertohen në tri pikë shumë të vlefshme për ekipin, edhe se ato vijnë pas humbjes së pësuar një javë më parë. Pas takinit të kësaj javë “Butrinti” U 19 renditet në vendin e pestë në grup.