Ndahet nga jeta Agim Mato, “Mjeshtër i Madh”

Pas një sëmundjeje të rëndë, më 10 maj 2021, u nda nga jeta Agim Mato, poet e krijues i dimensionit kombëtar, i përkthyer në italisht e greqisht. Agim Mato la pas dhjetëra vëllime në poezi dhe prozë.

Ai mbetet një nga emrat e përveçëm ndër njerëzit e botës së artit, medias dhe kulturës në Sarandë,

Ai ishte ndër sipërmarrësit e parë në fushën e botimeve me Shtëpinë Botuese “Milosao”, nismëtar për krijimin dhe drejtimin për disa vite të Klubit të Krijuesve “Jonianë” dhe themelues i televizioneve vendore “Tele Joni” e “Riviera”.

Personaliteti i tij plotësohej nga shqetësimi qytetar e kontributi komunitar për Sarandën, nga fryma krijuese e bashkëpunuese, nga përçimi i mesazheve të mëdha për ta bërë Sarandën një qytet europian, me profil të qartë turizmin. I veçantë është kontributi i Agim Matos në binjakëzimin e Sarandës me Riccione në Itali dhe në aplikimin e praktikave më të mira të fqinjëve tanë për informacionin dhe promocionin turistik.

Për të gjitha këto cilësi e kontribute, Agim Mato e kishte vendosur veten në elitën e intelektualëve të Sarandës.

Prej vitit 2014, mbante titullin “Mjeshtër i Madh”.

Kryebashkiaku: Iftar për Muajin e Ramazanit

Sipas një tradite tashmë të njohur, Kryebashkiaku Adrian Gurma, ka dhënë sonte iftar për dhjetëra besimtarë myslymanë të xhamisë së Sarandës. Në emër të besimtarëve, Myftiu Bledar Mulla ka falenderuar kreun e Bashkisë për vëmemdjen dhe për bashkëpinimin me komunitetin myslyman.

Kryetari Gurma shprehu kënaqësinë që gjendet mes besimtarëve të këtij komuniteti, i cili reflekton mirësi dhe i kontribuon harmonisë dhe bashkëjetesës harmonike mes komuniteteve në Sarandë.

Ai ka uruar që Zoti t’u pranojë sakrificën edhe për ditët në vazhdim të Muajit të madhërishëm të Ramazanit.

ME VËSHTIRËSI, POR FITORJA ERDHI

Ekipi ynë i futbollit të të rriturve, i ka dhënë sot siguri më shumë qëndrimit në pozicion pretendenti për kreun e tabelës. Me “Naftëtarin” përballë ditën e sotme, “Butrinti” ia ka dalë të ndahet me fitore, edhe nga sfida e radhës. Ky trepikësh nuk ka qenë e lehtë të merret, por ai ka ardhur. Këtë e ka vendosur inkursioni dhe finalizimi me dërgimin e topit në rrjetën e “Naftëtarit”, në minutën e 81, nga Ermanel Lloji, i cilësuar Heroi i ditës.

Pas këtij takimi, “Butrinti” e sheh veten i renditur i dyti në tabelën e përditësuar, duke depozituar 59 pikë.