PUNA PËR PLAZHET PUBLIKE ËSHTË NË VIJIM

Çdo ditë e re që zbardh i gjen më të sistemuar e më të plotësuar me rërë plazhet publike përgjatë shetitores së Sarandës. Frekuentuesit e Plazhit të Ri dhe atij “Hasan Tahsini” i kanë gjetur atë në gjendje dukshëm përmirësuar mëngjesin e 4 korrikut. Kjo, pasi në sipërfaqet e këtyre dy plazheve, gjatë natës e deri mëngjes është hedhur rërë e re dhe është bërë sistemimi i saj.
Pas përfundimit të sistemimit të tyre, puna do të zhvendoset në Plazhin e Centralit (“Rinia”), duke u shtrirë deri në skajin fundor të shetitores, ku, për herë të parë, zgjaten edhe plazhet publike.

APEL QYTETAR!

Një dukuri jo e këndshme është vënë re këto ditë:
Në disa vendbazime të kontenierëve, në qytetin e Sarandës, persona që mbledhin mbetje të riciklueshme për shitje, nxjerrin jashtë koshave dhe hedhin përtokë të gjitha mbetjet urbane të grumbulluara, duke zhbërë punën e punonjësve të pastrimit dhe duke krijuar ndotje dhe terren per infeksione nga më të ndryshmet.
Strukturat e Policisë Bashkiake kanë vepruar në çdo rast ndaj këtyre personave, që rrezikojnë infektimin e vetes, por edhe të qytetarëve të tjerë e kalimtarëve.
Por as policia dhe as Bashkia nuk duhet të jenë të vetëm në parandalimin e kësaj dukurie dhe as në qortimin e këshillimin e tyre, kur shohin njerëz që kryejnë veprime të tilla.
Këta individë rrezikojnë veten dhe ne të tjerët, ndotin mjedisin dhe largojnë turistin nga qyteti, i cili bën gjithçka për të ofruar më të mirën, përfshi edhe një qytet të pastër.
Ja përse lipset solidariteti dhe partneriteti me çdo qytetar, kundër kësaj dukurie.
Të reagojmë dhe veprojmë së bashku, për qytetin dhe turizmin e përbashkët.

 

PËRPARËSIA E KËTYRE DITËVE: MBUSHJA ME RËRË DETI E PLAZHEVE PUBLIKE NË SARANDË

 

Megjithëse plazhet publike të Sarandës ofrohen pa shezlongë e çadra këtë verë, Bashkia nuk ka hequr vëmendjen nga kujdesi për t’i sjellë ato në gjendje sa më të mirë për qytetarët, sidomos pas punimeve për rikonstruksionin e shetitores.
Janë zgjedhur orët e natës, deri afër mëngjesit, për të marrë rërë nga Kanali Çukës e për ta hefhur në plazhe, për të mos penguar askënd në aktivitetin ditor. Brenda pak netëve punë është mundësuar hedhja e rërës dhe sistemimi i Plazhit “Hasan Tahsini”, për të vijuar me Plazhin e Ri, me atë të Centralit, përgjatë shetitores, deri në fundin e saj.
Ne e kuptojmë që mund të jenë shkaktuar edhe zhurma nga punimet që kryhen. Por shpresojmë të kemi mirëkuptimin e qytetarëve, pasi ky operacion bëhet në të mirën e tyre e të pushuesve të kësaj vere, për të ofruar kushte sa më të mira në plazhe.

REAGIM: Nisur nga shqetësimet dhe ankesat e disa qytetarëve adresuar Bashkisë Sarandë

Nisur nga shqetësimet dhe ankesat e disa qytetarëve adresuar Bashkisë Sarandë, mbi punimet që janë duke u kryer në grykëderdhjen e lumit Bistricë, në Kanalin e Çukës, sqarojmë se:
Punimet nuk janë të lidhura me asnjë subjekt privat dhe as me krijimin e ndonjë plazhi atje.
Mjetet që janë duke punuar janë duke marrë rërën e detit, të sjellë si aluvion gjatë dimrit, me qëllim që të ulen sa të jetë e mundur kostot e pasurimit me rërë të plazheve publike përgjatë shetitores në Sarandë dhe që materiali të jetë produkt natyral i detit dhe jo material inert. (proçes që kryhet çdo vit në fillim të sezonit turistik)
Sqarojmë se traseja e rrugës e çelur në grykëderdhjen e lumit në Kanalin e Çukës, është në funksion të këtij operacioni dhe me përfundinin e tij, ajo do të rikthehet në gjendjen e mëparshme.
Gjithashtu sqarojmë se, për të mos penguar pushuesit që perdorin stacionet e plazhit publik përgjatë shëtitores, punimet do të kryhen kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit.
Shpresojmë në mirëkuptimin dhe mbështetjen e qytetarëve për këtë operacion disaditor që po kryejmë, në emër të interesit publik dhe sistemimit të plazheve publike të qytetit.