NJË TJETËR PARK PUBLIK PËR BANORËT DHE FËMIJËT E PERIFERISË SË SARANDËS

Numrit të parqeve publike që funksionojnë në territorin e Bashkisë së Sarandës, u është shtuar edhe një tjetër i tillë. Në prani të mjaft fëmijëve që kaluan çaste të bukura në lodrat e reja, u bë përurimi i parkut më të ri publik, të ofruar në Lagjen Nr. 4 të Sarandës. Në atmosferën e gëzueshme që dinë të krijojnë gjithmonë fëmijët, shiriti i përurimit u pre nga Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe nga drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, zoti Cristian Canacaris. Ky ka qenë rasti që kreu i Bashkisë Gurma ka falenderuar zotin Canacaris dhe operatorin bankar që ai drejton, si një partner të qëndrueshëm dhe mbështetës për një radhë investimesh në Sarandë. “Dëgjuam dhe plotësuam një kërkesë të ardhur nga komuniteti për të hequr ish-tregun këtej – u shpreh kreu i Bashkisë Gurma- e në vend të tij të projektonim këtë park rekreativ për të gjitha moshat e sidomos për fëmijët, që gjejnë këndin e tyre të lojërave në këtë hapësirë”. Drejtori i Përgjithshëm Canacaris tha se miqësia është sekreti i lidhjes së tij me Sarandën. Ai u shpreh i kënaqur për këtë park publik që i shtohet Sarandës dhe siguroi që do të vazhdojë të mbështesë investime me fokusin te fëmijët, te spitalet etj., duke bërë që t’i kthejnë qytetit dhe komunitetit atë që marrin nga klientët. Investimi për këtë park publik, bëhet edhe më i vlerësuat, pasi ofrohet për një zonë periferike të qytetit të Sarandës.

LËVIZSHMËRIA, NJË NDËR SFIDAT E ZHVILLIMIT TË SARANDËS

Megjithë ndërhyrjet që kanë sjellë zgjidhje përmirësuese në lëvizshmëri, Sarandës i nevojiten zgjidhje të mëdha, që i këtkon zhvillimi i shpejtë. Projekti PZHIUT-Saranda Porta e Turizmit, konsiderohet si një partner i besueshëm nga ne, për të mbërritur në zhvillim urban të qëndrueshëm. Këtë kishte në fokus edhe takimi i zhvilluar me konsulentin e projektit. Me praninë e Kryebashkiakut Adrian Gurma dhe të specialistëve të urbanizimit dhe transportit në Bashkinë e Sarandës, u parashtrua plani i mobilitetit dhe u vunë për diskutim në tryezë problematikat në qarkullim. Tryeza shërbeu për të përcaktuar hapat e nevojshëm në vijim, për të kapërcyer vështirësitë e deritanishme dhe të lehtësohet lëvizshmëria, sidomos gjatë sezonit turistik, që vjen duke zgjatur kufijtë.

 

SARANDA PRITI FESTIVALIN MBARËSHQIPTAR TË SHAHUT

Saranda është bërë vendi pritës i eventit më të madh të shahut në keto 30 vitet e fundit. Ky Festival organizohet nga Federata Kombëtare e Shahut dhe ka mbështetjen e Bashkisë së Sarandës e të Kryetarit të saj, Adrian Gurma.
Festivali i Shahut ka startuar pasditen e 2 tetorit 2021, në mjediset e Hotel “Mediterrane”. Pjesëmarrës në të janë 14 ekipe: 9 ekipe nga Shqipëria, ndër të cilët 2 nga Saranda, 3 ekipe nga Kosova, si dhe 2 ekipe nga Maqedonia e Veriut.
Çelja e eventit u përshëndet nga Manjola Pilinci, sekretare e Federatës kombëtare të Shahut. Në emër të Kryebashkiaku Adrian Gurma, pjesëmarrësit i përshëndeti përgjegjësi i Klubit Shumësportësh “Butrinti”, Fuat Karalliu.
Festivali Mbarëkombëtar i Shahut do të zhvillohet nga 2-10 tetor në Sarandë dhe do të dëshmojë për nivelet ku ka arritur ky sport në hapësirën shqiptare, si dhe për ardhmërinë e tij.
Ai shoqërohet nga interesimi i posaçëm i mediave të specializuara dhe nga mediat vendore.

 

 

 

MENAXHIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE: REALITET I RI NË SARANDË

Me një angazhim special për të njohur dhe ndryshuar realitetin e menaxhimit të mbetjeve urbane, Mirela Kumbaro, Ministrja e re e dikasterit të Turizmit dhe Mjedisit, e shoqëruar nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, u ndal në Volloder, në Qendrën e Riciklimit në Burim të mbetjeve.
Pasi u njoh nga kryetari Gurma me këtë investim në Bashkinë e Sarandës, të mbështetur edhe nga GIZ-i gjerman, si dhe me teknologjinë e metodologjinë që përdoret, zonja Kumbaro, ka vlerësuar pozitivisht punën e bërë në disa muaj, me impakt në një qytet të pastër edhe kur ai katërfishohet në popullsi për shkak të sezonit. Njëherësh, ajo tha se ka nevojë të promovohet kjo punë si burim përfitimi komunitar dhe për qeverisjen vendore dhe si një lehtësim i ngarkesës në landfillin e Bajkajt. “Ndarja që në burim- u shpreh zonja Kumbaro-i bën mirë edhe ekologjisë”.
Në vështrimin e saj, pastrimi është prioritet kombëtar, që nuk arrihet me aksione, por me menaxhim të integruar të mbetjeve, pasi nuk është çështje lagjeje dhe fushate që bëhet kur fillon sezoni turistik. Betejën-tha ajo-e kemi jo me mbetjet e ditës, por me ato të grumbulluara në vite dhe problemit të mbetjjeve i duhet dhënë zgjidhje sot, pa pritur të nesërmen.
Pasi e ka parë situatën në vend, Ministrja Kumbaro ka vlerësuar se “Saranda është model i ndarjes së mbetjeve në burim dhe i riciklimit të tyre”. E për këtë ka komplimentuar Kryetarin Gurma.
Pas terrenit, Kumbaro dhe Gurma, kanë diskutuar më në detaj problematikat menaxheriale të mbetjeve urbane e inerte, në prani edhe të strukturave bashkiake që operojnë në këtë fushë. Ministrja Kumbaro tha se do të ofrohet mbështetje maksimale për bashkitë, që të menaxhojnë siç duhet situatën e mbetjeve gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe subvencionim financiar nga qeveria në raste vështirësie. Por ajo vuri theksin për bashkërendim të punëve dhe tek kontrolli rigoroz për zbatimin e ligjit.