Numrit të parqeve publike që funksionojnë në territorin e Bashkisë së Sarandës, u është shtuar edhe një tjetër i tillë. Në prani të mjaft fëmijëve që kaluan çaste të bukura në lodrat e reja, u bë përurimi i parkut më të ri publik, të ofruar në Lagjen Nr. 4 të Sarandës. Në atmosferën e gëzueshme që dinë të krijojnë gjithmonë fëmijët, shiriti i përurimit u pre nga Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe nga drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, zoti Cristian Canacaris. Ky ka qenë rasti që kreu i Bashkisë Gurma ka falenderuar zotin Canacaris dhe operatorin bankar që ai drejton, si një partner të qëndrueshëm dhe mbështetës për një radhë investimesh në Sarandë. “Dëgjuam dhe plotësuam një kërkesë të ardhur nga komuniteti për të hequr ish-tregun këtej – u shpreh kreu i Bashkisë Gurma- e në vend të tij të projektonim këtë park rekreativ për të gjitha moshat e sidomos për fëmijët, që gjejnë këndin e tyre të lojërave në këtë hapësirë”. Drejtori i Përgjithshëm Canacaris tha se miqësia është sekreti i lidhjes së tij me Sarandën. Ai u shpreh i kënaqur për këtë park publik që i shtohet Sarandës dhe siguroi që do të vazhdojë të mbështesë investime me fokusin te fëmijët, te spitalet etj., duke bërë që t’i kthejnë qytetit dhe komunitetit atë që marrin nga klientët. Investimi për këtë park publik, bëhet edhe më i vlerësuat, pasi ofrohet për një zonë periferike të qytetit të Sarandës.























