Takim më shumë miqësor dhe profesional, se sa zyrtar ishte ai që Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, pati sot me dy personalitete të mjeksisë nga Katari dhe Egjipti, Prof. Dr. Dr. Aksam Yassin, Zëvendësministër i Shëndetsisë në shtetin e Katarit dhe Këshilltar i Kryeministrit të shtetit të tij për çështjet e shëndetësisë, dhe Dr. Hala Massekh, Zëvendësministre e Parë e Shëndetsisë në Egjipt.
Prof. Dr. Dr. Aksam Yassin është një personalitet në fushën e mjeksisë, me mjaft reputacion edhe në Gjermani dhe lektor shumë i kërkuar në disa universitete të botës. Biseda u zhvillua mes tre kolegësh, ndërthurur me përgjegjësitë dhe me mundësitë që vijnë nga pozicioni në krye të Bashkisë nga z. Gurma, apo për ato në drejtimin e institucioneve të shëndetsisë, për dy miqtë që ai pati kënaqësinë të priste në zyrën e tij.
Kreu i Bashkisë u prezantoi Sarandën, profilin e saj turistik, që çdo vit shfaqet me ofertë të përmirësuar, falë investimeve të qeverisë dhe qeverisjes vendore, por edhe në diversitetin që paraqet kjo ofertë, duke shfytëzuar asetet natyrore, arkeologjike, historike e kulturore.
Ai përmendi takimin shumë miqsor që pati gushtin e dy viteve më parë me ambasadorin e Katarit, Shkëlqesinë e Tij, z. Ali Bin Hamad Al-Marri.
Dy personalitetet e huaja kanë shprehur kënaqësinë që gjenden në një qytet të mrekullueshëm si Saranda dhe që gjejnë në krye të Bashkisë së këtij qyteti një koleg të tyre, mjek, tek i cili kanë dalluar dashurinë për Sarandën, po aq sa për profesionin e mjekut.
Kryetari Gurma u tha dy kolegëve të nderuar se në Sarandë do të gjejnë porta të hapura dhe zemra të dashura e plot mirënjohëse për çdo konsideratë dhe për çdo investim të mundshëm, për ngritjen e standardit të shërbimit shëndetsor në Sarandë dhe jo vetëm.









