Nata e dytë e eventit Netët e Artit Burimor në Sarandë, ngjiti në skenë interpretues të valles popullore dhe asaj të përpunuar. Ato që u ngjitën të parët në skenë ishin fëmijët, valltaret e vogla, që pasionin për vallen e zhvillojnë në institucionin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Pas tyre radha ishte e hedhësve të valles nga Grupi I njohur “Zëri i Bilbilit”.

Ritme të gjalla vallesh dhe kostume me kolorit të veçantë solli në skenë grupi i valleve “Elpidha” i grave të Sarandës, që dalloheshin qartazi se ishin motive të minoritetit etnik grek.

Epizmi i legjendës Osman Taka, u përcoll me shumë emocion tek spektatori nga djemtë e valltarëve të ardhur nga Konispoli, ndërkohë që vallet dhe kostumet e vajzave konispolate, shpalosën pranverë dhe lirizëm në skenë.

Bukuri dhe elegancë të veçantë i dha Natës së Valleve grupi i valltareve të Qendrës Kulturore të Sarandës.

Në Natën e Valles skena nuk mjaftoi, vallja “u derdh” edhe përtej saj, në Sheshin e Limanit, ku gjatë gjithë kohës, grupet pjesëmarrëse në koncert kërcyen motivet e radhës, së bashku me publikun.