23 gushti ka shënuar startin e eventit artistik “NETËT E ARTIT BURIMOR NË SARANDË”, organizuar nga Bashkia e Sarandës, për të shoqëruar sezonin “Verë 2021” edhe me produkte kulturore e artistike, në vitin e 100-vjetorit të Bashkisë.
Nata e parë ishte NATA E POLIFONISË. Në të u përfaqësuan grupe polifonike nga Saranda, si: “Zëri i Bilbilit” e grupi “Saranda”; nga Gjirokastra performoi grupi i mirënjohur “Ergjëra”, i drejtuar nga Arjan Shehu “Mjeshtër i Madh”; nga Piluri ansambli “Bejkë e Bradhë”, i drejtuar nga Kristo Çipa, “Mjeshtër i Madh”.
Pjesëmarrës në Natën e Polifonisë, u bë edhe grupi polfionik i Kransesë, nga Bashkia Finiq, të cilët interpretuan në gjuhën amtare.
Ishte një mbrëmje plot kolorit folkloristik nga trevat jugore të vendit. Të gjithë artistët pjesëmarrës u pritën ngrohtësisht nga publiku dhe nga turistët vendas e të huaj, që ndoqën programin e tyre për më shumë se një orë.
Nata e dytë e këtij eventi, në mbrëmjen e 24 gushtit, do të jetë e vallës popullore, ku do të vijë tradita folklorike në fushën e kërcimit, si dhe kostumet e larmishme.