Është zgjedhur jo rastësisht simbolika e Ditës së Flamurit, për të organizuar ceremoninë e nënshkrimit të Protokollit të Binjakëzimit mes Bashkisë së Sarandës dhe Komunës së Gjakovës, në Kosovë. Fillimisht delegacioni I ardhur nga Gjakova, I kryesuar nga Kryetari i saj, Ardian Gjini, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në shetitoren e Sarandës, ku vendosën edhe buqeta me lule.
Pastaj miqve nga Gjakova iu rezervua një pritje e ngrohtë, vëllazërore e miqsore nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, në zyrën e tij. Më tej, në sallën e Këshillit Bashkiak, u organizua ceremonia e binjakëzimit mes dy njësive të qeverisjes vendore, Sarandës dhe Gjakovës. Duke uruar mirëseardhjen, Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se “Binjakëzimin mes nesh zgjodhëm ta bëjmë në ditën më të shënuar për shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Në këtë ditë njësoj të shënuar, ne nuk bëjmë tjetër, veçse konfirmojmë, edhe me këtë gjest, se ne jemi një Flamur, një Komb, një Histori, një Gjuhë”. Gurma nënvizoi më tej se kjo ceremoni vjen edhe si një ngjarje e bukur në Javën e Kulturës Shqipëri-Kosovë, të shtrirë në harkun kohor 21-30 nëntor dhe vetëm një ditë pas Kuvendit historik të mbajtur në Tiranë mes parlamentarëve të dy vendeve tona. “Pas hapit të sotëm, për të qenë sivëllezër binjakë, para nesh zgjerohen hapësirat e mundësitë, por rriten efhe detyrimet tona, si qeverisje qytetare, që sarandioti dhe gjakovari jo vetëm të ndjehen, por edhe të vijnë më pranë. Na bie neve detyra që të punojmë në mënyrë të programuar për të njohur më mirë njeri-tjetrin në asetet e në resurset turistike, në eventet lokale dhe në pasuritë shpirtërore, në vlera të trashëgimisë dhe kulinarisë, që mund t’i rrëfejmë njeri-tjetrit”, përfundoi fjalën e vet Kreu i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.
Kreu i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, do të thoshte në fjalën e vet se: “Edhe pa një binjakëzim, edhe pa këtë nënshkrim formal qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, të Sarandës dhe Gjakovës, jetojnë bashkë. Por ky binjakëzim në çel disa mundësira që kanë për të qenë të jashtëzakonshme për komunikimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve, mes bizneseve dhe në të gjitha format e organizimit kulturor e shoqëror që ekzistojnë mes Shqipërisë e Kosovës dhe posaçërisht mes Sarandës dhe Gjakovës”.
Dy homologët Adrian Gurma e Ardian Gjini nënshkruan pas kësaj tekstin e Protokollit të Binjëkzimit mes Sarandës dhe Gjakovës. Ky akt binjakëzimi u përshëndet edhe nga Kryetarja e Asamblesë Komunale të Gjakovës, Arbënesha Kuqi dhe zëvendëskryetari i Këshillit Bashkiak të Sarandës, Ibrahim Bajrami. Të dy shprehën angazhimin e parlamenteve lokale të njësive respektive të qeevrisjes vendore, për të shkëmbyer eksperienca të dobishme e të vlefshme, në shërbim dhe përparimit të komuniteteve dhe qytetarëve tanë, në Sarandë dhe Gjakovë.






















