29 Nëntori i 78-vjetorit të çlirimit të Atdheut, u përkujtua me aktivitete të organizuara nga Bashkia e Sarandës. Në Lapidarin me mbishkrimin “Lavdi Dëshmorëve të Atdheut”, në Varrezat e Dëshmorëve në Sarandë, u vunë kurora me lule nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, në emër të deputetëve Anila Denaj e Niko Kuri, nga Komiteti i Veteranëve të rrethit e Organizata e Familjeve të Dëshmorëve, në emër të Prefekturës, të Këshillit Bashkiak, nga Komisariati i Policisë së Rendit dhe atij të Kufirit, si dhe nga përfaqësues të subjekteve kryesore politike.
Fjalën e rastit e mbajti Zonja Neriman Gjivogli, Kryetare e Komitetit të Veteranëve dhe pasardhësve të tyre në Sarandë. Ajo foli për kontributin e popullit të Sarandës dhe të jugut të vendit, në çlirimin e Shqipërisë 78 vite më parë dhe apeloi për transmetimin e traditave të luftës dhe ndjenjës patriotike e të atdhedashurisë, tek brezi i ri.
Të pranishmit, nën tingujt funebër të orkestrës frymore, bënë homazhe në varret e Heronjve dhe dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Më tej, ata vizituan Dhomën Muze, që funksionon si pjesë e kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Sarandë, ku u njohën me formacionet partizane që operuan në rajonin e Sarandës, me luftimet më të rëndësishme e bilancet e tyre, si dhe me jetëshkrimin e Tre Heronjve të Popullit, me dokumenta, me relike të partizanëve.
Në librin e kësaj Dhome Muze, Kryebashkiaku Adrian Gurma la një shënim nderues për Veprën e të rënëve për Atdheun.