Atleti sarandiot Alush Çukari, bërë i njohur së fundmi me ecjen më këmbë në itinerarin Sarandë-Tiranë e kthim, është pritur dhe nderuar me një ceremoni e organizuar përpara Bashkisë së Sarandës. Atleti “maratonomak” është pritur me duartrokitje e brohoritje nga nxënës shkollash, mësues, familjarë dhe qytetarë të Sarandës, në shenjë admirimi dhe mbështetjeje për pjesëmarrësin e vendosur për vrapime në distanca të gjata, pavarësisht moshës së tij 55-vjeçare. Në emër të nxënësve sportistë iu dhurua një buqetë me lule të freskëta, ndërsa iu vendos medaljoni “Vrapo & Jeto”, me logon e Bashkisë Sarandë. Drejtori i Kkubit Shumësportesh, Fuat Karalli prezantoi para të pranishmëve profilin e atletit Alush Çukari, duke veçuar vullnetin e tij të hekurt dhe stërvitjen sistematike individuale, duke sfiduar moshën. “Është krenari të promovosh shembuj të tillë, që i bëjnë nder e i japin emër Sarandës në shkallë vendi dhe që janë modeli më i mirë, për t’u ndjekur nga të rinjtë”, tha ndër të tjera në fjalën e vet Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Ai i dorëzoi atletit Alush Çukari Çertifikatën e Mirënjohjes stampuar në metal, ku shkruhej motivacionn: “Mirënjohje për cilësitë sportive, për vullnetin e hekurt dhe që i jep nder e emër fanelës me logon e Bashkisë së Sarandës”. Në ceremoninë nderuese të atletit Alush Çukari u përcoll mesazhi se mbështetja dhe nxitja e rezultateve të larta është detyrim i qeverisjes vendore dhe se ata do jenë përherë e më të vlerësuar e nderuar, nga çdo fushë e sportit, që vijnë.